Meqenëse çështjet e demografisë kërkonin praninë e një korpusi të dhënash më serioze dhe informatash të besueshme, shkrimet mediatike rreth kësaj teme shpesh vinin nga emra të mirënjohur, siç ishte për shembull Jovan Cvijiq, teksti mjaft i gjatë i të cilit është botuar te “Srpski književni glasnik” (“Lufta Ballkanike dhe Serbia”, XXVIII, 9, nr. 283, 1 nëntor 1912).
Profili i revistës (Vitošević, 1990) dhe dalja e saj çdo dy javë mjaftojnë për t’u bindur për faktin se teksti i drejtohej një publiku të arsimuar, të cilit i duhej shpjeguar situata në territoret që deri në tetor të vitit 1912 gjendeshin nën pushtetin turk.
Cvijiqi paraqet me detaje gjendjen brengosëse të komunitetit serb, i cili vazhdimisht përballej me masat e dhunshme të pushtetit dhe ekspeditat plaçkitëse të grupeve shqiptare. Duke u nisur nga dukuria e të ashtuquajturve kripto-serbë – çka nënkupton pranimin e islamit, kthimin në arbanasë, zotërimin e shqipes, por njohje të rrjedhshme edhe të serbishtes – Cvijiqi përpiqet të interpretojë shifrat demografike, duke konkluduar se serbë të shqiptarizuar janë rreth 150-200 mijë, ndërsa të ashtuquajtur kolonistë të dhunshëm janë rreth 300 deri në 400 mijë shqiptarë, që kishin shfrytëzuar rrethanat historike fatkeqe për serbët dhe ishin vendosur atje.
Teksti i Cvijiqit tregon se edhe tekstet shkencore kanë përkuar me qëllimet e politikës zyrtare serbe. Pa e vënë në kundërshtim kontributin shkencor të Cvijiqit, nuk mund ta shpërfillim të dhënën se edhe ai ka konsideruar se “Serbia e meriton një territor më të madh…” (sipas Popović-Obradović, 2008, 249), ndërsa “me rastin e hyrjes së ushtrisë serbe në territorin e Shqipërisë me qëllim të daljes së Serbisë në det” e ka mbështetur idenë mbi aneksimin si një “domosdoshmëri antietnografike” (251). Kur është fjala për tekstin te “Srpski književni glasnik”, paraqitja e gjendjes faktike bëhet interesante, por edhe e kontestueshme kur nga regjistri shkencor ai “rrëshqet” në një retorikë lirike-patetike, duke iu referuar përgjithësimeve të folklorit serb. Pasi shqyrton tezat mbi prejardhjen e popullsisë shqiptare, që në vitin 1912 gjendej në Kosovë, Cvijiqi shpreh mbështetje për interesat serbe në Luftën e Parë Ballkanike, duke kaluar në një moment nga të dhënat empirike (shteti i parë serb, monumentet e kulturës) tek e kaluara e mitologjizuar nëpërmjet parafrazimit të vargjeve nga këngët epike: “Në kufirin jugor të Serbisë së Vjetër është qyteti antik Prilip, qyteti i të birit të mbretit serb Vukashinit, Princ Markos, i cili nuk ka vdekur, nuk mund të vdesë, por fle diku në Malin Sharr, dhe kur të zgjohet do të shpaguhet Kosova dhe do të kthehet perandoria serbe.” (659).
Pjesën e dytë nga Millan Milkoviq, në serinë Imazhi mediatik i shqiptarëve në shtypin serb më 1912-1913, mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.