Fundi i tetorit është afati kur serbët synojnë ta themelojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacioni është edhe tema qendrore e fushatës së Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, shkruan sot Koha Ditore.
Mbështetje zyrtare i ka dhënë edhe shteti serb, për të cilin Lista Serbe është subjekti i vetëm që ruan interesat e serbëve dhe Serbisë në Kosovë. Lista Serbe synon ta ruajë pushtetin në 10 komuna sa ka aktualisht.
Përcaktimi për t’i dhënë start Asociacionit është evidentuar edhe në një dokument të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, për të cilin thuhet se është derivat i dialogut të Brukselit.
Aty flitet për fushëveprimin dhe kompetencat që do t’i ketë ekipi menaxhues për themelimin e Asociacionit, puna e të cilit do të përfundojë pas zgjedhjeve lokale të 22 tetorit.