“Xhaka provokon sërish: Dy shqiptarë – Serbia 2:1”.
Ky është titulli i shkrimit në sajtin e njohur serb, “b92.net”, lidhur me një postim në “Instagram” që është shpërndarë nga ylli kosovar i futbollit, Granit Xhaka.
Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka të martën ka shpërndarë një postim në “story” në “Instagram” të një qytetari kosovar, në të cilën ai godet një letër tualeti, ndërkohë që dëgjohet komentatori duke komentuar golin e Xhakës ndaj Serbisë në Botërorin e vitit të kaluar, raporton Koha.net.
“2 ALBANIANS 2-1 SRB”, shkruan në postim ku është etiketuar Xhaka. Postimi është shpërndarë nga reprezentuesi i Zvicrës dhe tani mediat serbe po shkruajnë për provokim të ish-kapitenit të Arsenalit.
“Futbollisti zviceran me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka ka publikuar në ‘Instagram’ video provokuese. Ish-kapiteni i Arsenalit ka përkujtuar ndeshjen e famshme të reprezentacionit të tij me Serbinë në kampionatin botëror në Rusi. Zvicra fitoi 2:1, ndërsa ndeshjen e shënuan Xhaka, Shaqiri dhe reprezentuesit tjerë të këtij vendi, që janë me prejardhje nga Kosova”, ka shkruar b92.net.
Në të njëjtën frymë kanë shkruar edhe media tjera serbe si “blic.rs”, “alo.rs” e disa të tjera.
“Shqiptari me video të turpshme ua dërgon gishtin e mesëm serbëve”, ka shkruar “alo.rs”.
Në ndeshjen e famshme ndaj Serbisë, Xhaka kishte shënuar golin e barazimit në minutën e 52-të, ndërsa Shaqiri shënoi golin e fitores në minutën e 90-të. Goli i Xhakës ishte shumë i bukur, ndërsa ai i Shaqirit kryevepër, i realizuar pas një vrapimi shumë të gjatë.