Serbët vendosin barrikadë të re, Sveçla krenohet se një lokal në Prishtinë u dërgoi policëve pica, turshi e ajran

Prishtinë | 17 Dhj 2022 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka njoftuar se serbët në veri të vendit e kanë vendosur edhe një barrikadë të re gjatë natës në lagjen Berxhane e cila shpie për në Zvecan, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, vendosja e këtyre barrikadave cenon lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe po pamundëson hyrje-daljet në dy pikat kufitare.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e po ashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave. Gjatë natës ka vazhduar vendosja edhe e një barrikade të re, në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative, e që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit”, bëhet e ditur në njoftimin e tyre.

E në anën tjetër, institucionet e vendit nuk po ndërmarrin asgjë, përpos që po krenohen se bizneset po dërgojnë ushqim për policët në atë pjesë. Ishte ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili ka publikuar fotografi, teksa zyrtarët policorë po çlodheshin, duke ngrënë pica, speca turshi e ajran.

Sveçla i falënderoi bizneset e familjet bujare, që kanë përgatitur ushqim për zyrtarët policor.

“Një nga lokalet e Prishtinës, si shumë biznese e familje bujare, dje ka përgatitur ushqim për zyrtarët tanë policor që po angazhohen në veri, në mbrojtje të vendit tonë. Darkën e kaluam së bashku me zyrtarët policor në Bërnjak të cilët, si gjithë të tjerët, me moral të lartë e me përkushtim po punojnë sipas misionit të tyre në ofrimin e sigurisë e në mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë. Ndërsa, nga qytetarët e kësaj zone që janë bllokuar nga barrikadat tash e një javë po kërkohet me ngulm heqja e barrikadave dhe vazhdimi i jetesës dhe zhvillimit pa pengesa”, ka shkruar ndër të tjerash Sveçla.

Të ngjashme