Katër komunat veriore të Kosovës të banuara më shumicë serbe, nga dita e martë kanë mbetur pa kryetarë, pasi që ata dhanë dorëheqje, si kundërpërgjigjeje ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tarifës doganore në 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia.
Me dorëheqjet e tyre, kryetarët e komunave, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ligjërisht i dërgojnë këto komuna në zgjedhje të jashtëzakonshme, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.
Në Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë, thuhet se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga Presidenti i Kosovës”.
Zgjedhjet shpallen jo më vonë se 10 ditë pas shpërbërjes, kurse duhet të mbahen më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes.
Sipas ligjit, vetëm Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), mund të ndryshojë afatet kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave.
Igor Simiq, nënkryetar i Listës Serbe, tha për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet dhe gjëra të ngjashme, për momentin nuk i interesojnë. Në qoftë se dikush në Prishtinë planifikon të bëjë çfarëdo veprimi, Simiq u shpreh se së pari duhet ta tërheqim vendimin e tyre.