Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë sot do të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj serbit Zoran Vukotiq nga Vushtrria i cili akuzohet se në fillim të majit të vitit 1999 në Kosovë ka kryer krime lufte.
Vukotiq është sjellë në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie.
Në seancën e sotme do të flet dëshmitari i parë i këtij rasti.
Klan Kosova merr vesh se dëshmitari i parë është S.K, i cili ka dëshmuar tri herë në Tribunalin e Hagës për krime lufte ndaj shqiptarëve.
Ndërsa në seancën e djeshme, prokuroria dhe mbrojtja kanë paraqitur deklaratat hyrëse.
Vukotiq është ish-anëtar i forcave të policisë rezervë të Serbisë dhe dyshohet se ka kryer krime lufte kundër civilëve në burgun e Smrekovnicës në fshatin Studime afër Vushtrrisë në mes të 2 dhe 3 maj 1999.
Avokati i Vukotiq, Nebojsha Vlajiq, ka thënë për mediat serbe se gjykimi do të zgjasë disa muaj dhe se prokurori publik pret që të gjithë dëshmitarët të merren në pyetje para fundit të këtij viti.
Vukotiq u arrestua më 10 maj të vitit 2016, në Nikshiq bazuar në një urdhërarrest të EULEX-it, ndërsa drejtësisë kosovare iu dorëzua në fund të vitit të kaluar.