Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka folur edhe njëherë për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet me rastin e vizitës së presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në Kosovë.
Ne një intervistë për “Kurir”, Stefanoviq ka thënë se megjithëse sipas tij Beogradi është në kërkim të një zgjidhjeje me Prishtinë, kjo e fundit së bashku me BE-në nuk po shprehin gatishmërinë e duhur, transmeton lajmi.net.
“Zgjidhja është ende në kërkim. Edhe pse siç mund ta shihni, nuk ka gatishmëri nga Prishtina dhe Bashkimi Evropian. Secili që ushtronte presion gjatë këtyre viteve që ne të arrijmë një marrëveshje, tani që ne kemi disa opsione, nuk po e përkrah asnjërin”, ka thënë Stefanoviq.
Ai ka rikujtuar se marrëveshja për krijimin e Asociacionit është nënshkruar në vitin 2013 ndërkaq që sipas tij askush nga BE-ja nuk ka arritur të bëjë presion për përfundimin e këtij procesi.
Stefanoviq foli edhe për vizitën e Vuçiq në Kosovë, si dhe revokimin e lejes nga Qeveria e Kosovës për hyrje në zonën e Drenicës, ku tha se protestuesit të cilët kundërshtuan vizitën e Vuçiqit atje, kishin me vete edhe armë zjarri.
“Së pari ata kërcënuan se nëse Vuçiq shkon në Ujman do të arrestohet, që do të kalojë si Marko Gjuriq. Pastaj kur ndalimi i autoriteteve të Prishtinës dështoi, ndodhi incidenti në fshatin e Banjës. Protestuesit ishin të organizuar dhe orkestruar. Ne kishim informata nga shërbimet e intelegjencës se persona të ndryshëm kishin edhe armë me vete”, tha ai.
E madje sipas tij, presidenti serb, Aleksander Vuçiq nuk mundi ta vazhdojë vizitën e tij për në Banjë, kur siç thotë ai dihet profili i protestuesve, veteranë të luftës që sipas tij mbajnë armë me vete.
Kujtojmë se ditë më parë presidenti serb, Aleksander Vuçiq, gjatë vizitës së tij në Kosovë nuk u lejua të shkonte në fshatin Banjë të Skënderajt. Revokimi i lejes nga Qeveria e Kosovës erdhi pas protestave nga qytetarët e asaj zone.