Serbia dhe Kroacia shënojnë rritje më të madhe negative të popullsisë në rajon ndërsa Kosova dhe Shqipëria rritje më të madhe pozitive të popullsisë.
Për shkak të shtimit negativ natyror Serbia dhe Kroacia çdo vit po humbasin numër të madh të banorëve, mesatarisht, sa një qytet të vogël ndërsa Kosova dhe Shqipëria shënojnë shtim natyror sa një qytet të vogël. Gjithashtu trend pozitiv ka shënuar edhe Maqedonia, tregon analiza e Anadolu Agency.
Më tej në analizë bëhet e ditur se Bosnjë e Hercegovina (BeH) ka rritje negative të popullsisë me ç’rast vendi humb pothuaj se një vendbanim të vogël në vit.
Sipas raportit “Vlerësimi i Popullsisë në Kosovë, 2015” nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i lindjeve me banim rezident në Kosovë për vitin 2015 ishte 31 116 lindje kurse numri i vdekjeve ishte 8 884 dhe shtimi natyror gjithsej 22 232.
Sipas informacioneve të marra nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT) statistikat vitale për tremujorin e tretë të vitit 2016, pasqyrojnë një rënie me rreth 8.8 përqind të shtesës natyrore të popullsisë në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2015.
Ndërkohë nëse do ti hedhim një sy lindjeve gjatë tremujorit të tretë të këtij viti do të vëmë re që ato ishin 7 602 duke pësuar një rënie me 12.8 përqind krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.
Ndërsa për sa i përket vdekjeve gjatë tremujorit të tretë 2016, numri i vdekjeve ishte 4 453 duke shënuar gjithashtu një rënie me 15.4 përqind krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2015.
Gjatë vitit 2015 numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë 33 221, nga të cilët 17 365 ishin meshkuj dhe 15 856 ishin femra. Raporti gjinor në lindje për vitin 2015 ishte 109.5 meshkuj për çdo 100 femra. Ndërsa gjatë vitit 2015 në Shqipëri kanë ndodhur 22 422 vdekje, nga të cilat 11 839 ishin meshkuj dhe 10 583 ishin femra.
Sipas të dhënave Serbia, Kroacia dhe BeH janë tre vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat humbasin pjesën më të madhe të popullsisë në vit.
Serbia ka një shkallë shumë negative të rritjes së popullsisë. Sipas të dhënave vjetore të fundit në atë vend kanë vdekur 38.021 persona më shumë nga sa kanë lindur.
Numri i lindjeve sipas këtyre të dhënave në Serbi ka qenë 65 657, përkundër 103 678 sa kanë vdekur.
Shkallë të madhe negative të shtimit të popullsisë ka dhe Kroacia, ku, sipas të dhënave të fundit 16 702 njerëz kanë vdekur më shumë nga sa kanë lindur. Kështu, në Kroaci kanë lindur 37 503 krahasuar me 54 205 njerëz sa kanë vdekur.
Situatë pak sa më e mirë, edhe pse me rritje negative të shtimit natyror regjistrohet në Bosnjë e Hercegovinë, ku sipas të dhënave të fundit 5 712 persona kanë vdekur më shumë nga sa kanë lindur. Sipas këtyre të dhënave në BeH, kanë vdekur 35 980 kurse 30 268 njerëz kanë lindur.
Ndërsa Serbia, Kroacia dhe BeH për shkak të shtimit negativ të popullsisë çdo vit humbasin numër të popullsisë, në Slloveni, Mal të Zi dhe Maqedoni, vërehet trend pozitiv. Në këto vende ka më shumë raste të lindjes nga raste të vdekjes.
Kështu, të dhënat e fundit tregojnë se në Slloveni 807 persona kanë lindur më shumë nga se kanë vdekur. Numri i vdekjeve ka qenë 19 834, ndërsa numri i lindjeve ishte 20 641.
Situatë e ngjashme është edhe me Malin e Zi, ku, sipas të dhënave të fundit 1 057 persona kanë lindur më shumë nga sa kanë vdekur. Pra, në Mal të Zi kanë vdekur 6 329 njerëz, kurse kanë lindur 7 386.
Trendi i shtimit pozitiv është i theksuar edhe në Maqedoni, ku 2 614 persona kanë lindur më shumë nga sa kanë vdekur.
Të dhënat e fundit në Maqedoni tregojnë se numri i vdekjeve ka qenë 20 461 në krahasim me 23 075 sa kanë lindur.
Trendi negativ i humbjes së popullsisë, përveç normës së rritjes së popullsisë natyrore ndikohet edhe për shkak të migrimit, të cilat janë të larta kryesisht në zonat e Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë e Hercegovinës, për të gjetur punë në Bashkimin Evropian, por edhe nga Kroacia ku popullata shkon në një shtet tjetër anëtar, me qëllim të gjetjes së punës më të mirë.
Humbja e popullsisë mbi këtë bazë gjithashtu matet në mijëra. Për shembull, të dhënat e fundit tregojnë se si rezultat i migrimit, vetëm Kroacia në një vit ka humbur 17 945 banorë. Në Kroaci, në bazë të këtij informacioni kanë ardhur 11.706 persona, kurse 29 561 njerëz janë larguar nga ky vend.