Pavarësisht sanksioneve amerikane, Serbia ka vazhduar t’i japë tenderë biznesmenit kontrovers nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Milan Radoiçiqin, i akuzuar si organizatori kryesor i sulmit terrorist në Banjskë.
Autoritetet serbe nuk i marrin parasysh sanksionet amerikane dhe vazhdojnë bashkëpunimin financiar me biznesmenë të kontestuar, pavarësisht implikimeve politike dhe të sigurisë në rajon.
Kompania “Novi Pazar-put”, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Veselinoviqit, ka marrë brenda një dite katër kontrata nga Ndërmarrja Publike Komunale “Putevi” në Krushevc. Kontratat kanë të bëjnë me furnizimin me agregate dhe filer, me një vlerë totale rreth 580 mijë euro, raporton Nova.
Kjo nuk është hera e parë që kompania e Veselinoviqit përfiton nga tenderët shtetërorë. Edhe më herët, pavarësisht se ndodhen në listën e zezë të SHBA-së, firmat e tyre kanë siguruar kontrata publike, si përmes tenderëve të drejtpërdrejtë ashtu edhe si nënkontraktore në projekte të mëdha shtetërore.
Sipas të dhënave financiare, “Novi Pazar-put” gjatë vitit 2024 ka realizuar të ardhura prej 34.2 milionë euro dhe fitim neto rreth 3.6 milionë euro. Që nga marrja nën kontroll e kompanisë nga Veselinoviqët, fitimet janë rritur ndjeshëm krahasuar me periudhën para vitit 2020.
Grupi i tyre zotëron edhe kompani të tjera fitimprurëse, përfshirë “Inkop”, “Betonjerka Aleksinac” dhe biznese në sektorin e ndërtimit dhe hotelerisë. Një pjesë e fitimeve lidhet me projekte infrastrukturore shtetërore, përfshirë bashkëpunime me kompani të huaja që kanë marrë kontrata pa tender.