Në Komisionin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është diskutuar lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë. Këtë temë e ka ngritur raportuesi për Kosovën në APKiE, Jardi Roca Mas, deputet nga Parlamenti i Spanjës, me iniciativë të këtij Komisioni.
Çështja e cila u diskutua ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit. Raportuesi, Roca, dënoi vrasjen e Ivanoviqit, duke theksuar se dhuna nuk zgjedh asgjë, por vetëm demokracia. Roca tha se transparenca është në interesin e popullit të Kosovës dhe se tani është në proces të organizimit të vizitës së parë në Kosovë, në muajin maj ose qershor, në mënyrë që të ketë gati draftin e parë për Kosovën dhe ta prezantojë në APKiE në fund të vitit. Roca theksoi se do të përgatisë raportin si shtetas evropian dhe pa ndikim nga politika e shtetit që përfaqëson.
Kryetarja e këtij Komisioni fjalën e kaloi tek delegacioni serb, i cili kishte tendencë dezinformimin e anëtarëve të këtij Komisioni, duke deklaruar se Kosova ka bërë shkelje të të drejtave të njeriut, duke mos i respektuar të drejtat e komunitetit serb. Po ashtu vazhdoi të thotë se misioni i EULEX-it në Kosovë nuk ka bërë asgjë sa i përket komunitetit serb. Delegacioni nga Serbia vazhdoi të akuzojë institucionet e Kosovës dhe EULEX-in se nuk janë duke bërë përpjekje për kthimin e serbëve në Kosovë dhe për ndriçimin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Lidhur me këtë çështje, delegacioni serb theksoi se kërkesa e Serbisë për investigim të rastit Ivanoviq, jo vetëm për personin qe e vrau, por edhe për personat që qëndrojnë prapa kësaj vrasjeje, duhet të pranohet. Po ashtu u theksua nisma e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale është e papranueshme nga ky delegacion.
Delegacioni nga Kuvendi i Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Haliti, theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës kanë dënuar aktin e vrasjes se Ivanoviqit dhe se do të bashkëpunojnë me organet e sigurisë dhe të hetuesisë për zbardhen e rastit me shtetet fqinje.
Delegacioni nga Kosova theksoi se pavarësisht historisë së Ivanoviqit, ai nuk është ndier i rrezikuar nga shqiptaret dhe këtë e konfirmojnë edhe deklaratat nga vet Ivanoviq.