Beograd, 17 janar – Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar sot se dje, më 16 janar, menjëherë pas dërgimit të dokumentit zyrtar Prokurorisë për Krim të Organizuar, që kërkon pjesëmarrjen e organeve hetuese të Serbisë në zbatimin e hetimeve të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, disa herë ka kontaktuar përfaqësuesit e EULEX-it e të UNMIK-ut, raporton FoNet, transmeton Koha.net.
Drejtori i Policisë së Serbisë, Vlladimir Rebiq, ka biseduar me përfaqësuesit e EULEX-it dhe ka insistuar që urgjentisht të përfshihen organet shtetërore të Serbisë në hetime, e po ashtu edhe që Policisë së Serbisë t’i dërgohen menjëherë të gjitha informatat që i kanë rreth kësaj vepre të rëndë penale, thuhet në komunikatën e MPB të Serbisë.
MPB serbe thekson se pret që shikimi në vendin e ngjarjes të bëhet në nivelin më të lartë profesional, ndryshe hetimi do të vështirësohej jashtëzakonisht shumë dhe mund të ketë pasoja të rënda, thekson komunikata, transmeton Koha.net.
Insistojmë që EULEX-i brenda një afati sa më të shkurtër të inkuadrojë organet shtetërore të Serbisë në hetimin penal, që do të bënte të mundur që kryesit e kësaj vepre penale të kapen sa më shpejt.
MPB i Serbisë thekson në komunikatën e saj se do t’i publikojë të gjitha dokumentet me të cilat ka kërkuar përfshirjen e organeve shtetërore të Serbisë në hetim, si dhe kërkesën e dërguar për të gjitha informatat në dispozicion që i ka EULEX-i dhe UNMIK-u.