“Mirësevini në Qendrën e thirrjeve për aplikim për të votuar në zgjedhjet krahinore që i organizojnë Insitutucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse në Prishtinë. Zgjedhjet mbahen më 14 shkurt. Orarin e punës e kemi cdo ditë, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në 21:00 të mbrëmjes”.
Kjo lloj mirëseardhje është për të gjithë ata që thërrasin numrin, që bashkë me një video, e ka publikuar qeveria e Beogradit.
Ajo u bë si pjesë e fushatës, që thuhet se do të zgjasë deri më 9 shkurt, për të joshur qytetarët nga Kosova që jetojnë në Serbi, të lajmërohen për të votuar në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Prishtina.
Kjo qendër nuk është autorizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga ku thanë se as më të voglën dijeni nuk e kanë që mekanizëm që ajo ekziston.
Në komision bënë të ditur se aplikimi për të votuar me postë u përmbyll më 21 janar. Nga Serbia erdhën 168 kërkesa, më së paku ndonjëherë. Vetëm 73 aplikacione u pranuan.
Fushata e qendrës së thirrjes po shihet si tentim i Serbisë të ndërhyjë në zgjedhjet kosovare.
“Ky në fakt është më shumë një veprim politik me të cilin po mundohet të dërgohen porosi të qartë se shteti i Serbisë qëndron me serbët e Kosovës dhe Listën Serbe që është fort e lidhur me partinë pushtetare. Kjo është thelbësore sepse përkundër daljes në numër të madh të serbëve në zgjedhje sipas ligjit të Kosovës kjo pakicë i ka 10 vende të garantuara në Parlament” thotë Miodrag Miliceviq, drejtor i OJQ AKTIV me seli në Mitrovicë e Prishtinë.