Serbia po e zvarrit qëllimisht kërkesën për ekstradimin e Haradinajt

Prishtinë | 16 Jan 2017 | 15:07 | Nga

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj po hynë në javën e dytë të ndalimit nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë. Derisa, një gjykatë në Francë e ka liruar me kushte ish-komandantin e UÇK-së në pritje të një kërkesë zyrtarë të Beogradit për ekstradimin e tij në Serbi, Prokuroria serbe ende nuk ka paraqitur dokumentacionin e nevojshëm para Gjykatës së Apelit në Colmar.

Avokati i Haradinajt në Kosovë, Arianit Koci tha se ende nuk janë njoftuar se Serbia ka paraqitur ndonjë kërkesë për ekstradim të ish-kryeministrit kosovar dhe dokumentet tjera përcjellëse, duke përshirë, siç thotë Koci, kinse dëshmitë e reja ndaj ish-drejtuesit të UÇK-së në Zonën e Dukagjinit.

Kjo sipas tij, po bëhet me qëllim nga Beogradi zyrtarë, për ta zvarritur procedurën ndaj Ramush Haradinajt pasi siç thotë Serbia e di se nuk ka rast penal ndaj tij.

“Z. Haradinaj është liruar prej Tribunit të Hagës. Në atë gjykim është hetuar në tërësi periudha e luftës, duke e përfshirë edhe qershorin e vitit 1999. Thjesht, Serbia po e shfrytëzon me keqbesim çdo mundësi procedurale që ta mbaje sa më gjatë në Francë, Haradinajn”, tha të hënën për Gazetën Express, avokati Koci.

Sipas procedurave, Prokuroria ka deri në 40 ditë kohë për t’ia paraqitur gjykatës në Francë kërkesën dhe dëshmitë për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Ndërkohë se, me vendim të drejtësisë franceze, kreu i AAK-së është liruar me kusht, gjatë kësaj procedure pritje të këtij dokumentacioni.

Ndryshe, pas arrestimit të Haradinajt në Aeroportin e Bazelit, me 5 janar, nga policia franceze, fillimisht ai ishte mbajtur për një javë në paraburgim.

Të ngjashme