Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se Shteti serb ka vendosur ndalimin e gjithë qarkullimit për vikend në dy komunat e Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të Qeverisë serbe në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan s’do të lejohet fare të ketë lëvizje gjatë vikendeve.
“Nga 10 prilli është vendosur ndalim ditor i trafikut nga ora 12:00-06:00 në komunat e Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit për 14 ditët e ardhshme. Gjatë fundjavave është vendosur ndalim i përgjithshëm i trafikut”, ka njoftuar Gjuric, në një postim në instagram.
Në raportin ditor për Kosovën, Gjuriq ka thënë se janë 40 serbë që janë prekur me koronavirus, një ka vdekur. Të prekurit me COVID-19 janë nga Mitrovica e Veriut (22), Zveçan (10), Leposavic (4), Zubin Potok (3), Lipjan (1).
Gjuriq ka thënë se një pjesë e pacientëve janë vendosur në Serbi kurse pjesa tjetër në Qendrën Klinike në Veriun e Mitrovicës dhe në Qendrën e Studentëve të Mitrovicës së Veriut.
Ndërkohë, Gjuriq nuk ka dhënë asnjë shifër nëse ndonjëri prej pacientëve të komunitetit serb ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ndërkohë, në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për orën policore në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan prej orës 12:00-6:00. Mirëpo, askund në vendim s’shkruan se do të ketë bllokim të gjithë qarkullimit gjatë vikendit.