Ky mund të quhet pa frikë sezon “vrasës” për pushuesit e bregdetit shqiptar.
Jo pak, por mbi 20 persona kanë humbur jetën në det,një bilanc tragjik, gati i paimagjinueshëm për një vend si Shqipëria, ku detet janë te krahasueshëm me ato të Greqisë apo Italisë.
Vende këto, në të cilat ekziston kujdesi ndaj pushuesve dhe rastet e vdekjeve janë në shifrat minimale. Dhe e gjithë kjo nuk ka ndodhur rastësisht.
Ka qenë kujdesi i veçantë i organizmave përkatës, që ka bërë të mundur, që në plazhe thuajse të njëjta me tona, nuk ka rekorde tragjike si ai i këtij sezoni.
Ndërkohë që në Shqipëri, askush deri më sot, nuk ka mbajtur përgjegjësi për humbjet e jetëve të mbi 20 pushuesve. Përveç medias, që ka reaguar në kohë dhe ka përcjellë lajmet dhe situatën katastrofike të plazheve pa vrojtues,asnjë institucion shtetëror,në nivel qendror apo lokal nuk ka mbajtur përgjegjësi, apo thjesht të analizojë dhe të marrë masa për të përmirësuar situatën.
Ka nga ata, që mendojnë se në Shqipëri mungon legjislacioni i posaçëm për këtë fenomen, por nuk është krejt e vërtetë.
Që prej vitit 2012 qeveria shqiptare ka miratuar një VKM PËR SIGURINË NË DET, PLAZHE DHE NË UJËRAT E BRENDSHME NË THELLËSI TË TERRITORIT. Qëllimi, siç e thotë vendimi, është përmirësimi i kushteve të sigurisë në plazhe, në zonat çlodhëse në bregdet dhe në ujërat e brendshme në thellësi të territorit. Ky VKM i detyron te gjithë subjektet publike (bashkite) dhe jo publike (bizneset) për vendosjen e kullave te vrojtimit çdo 200-250 metra vije lineare plazh.
Por kjo është vetëm fjalia e pare e paragrafit te Kritereve qe duhen plotësuar për Kushtet e Sigurisë ne plazhe. Më tej,në praktikë nuk ndodh asgjë sa është shkruar në ligj. Përtacia qe karakterizon nënpunësit e administratës te kuptojnë zbatimin e këtij vendimi, bën qe ato te mos shkojnë deri tek qëllimi i vërtetë i tij, që është siguria e jetës së pushuesve. Kudo nëpër plazhe mund të shohësh kulla vrojtimi,madje disa prej tyre janë dhe të ndërtuara bukur. Por ç’vlerë mund të ketë kjo kullë kur në të nuk ndodhet asnjë vrojtues i kualifikuar për të shpëtuar jetën e pushuesve që lahen në det? Jo vetëm kaq, por një vrojtues i trajnuar është ai, që i jep dikujt që rrezikon jetën nga deti edhe ndihmën e parë. Pikërisht për këtë vendimi i qeverisë e përcakton qartë, që kulla e vrojtimit në plazh duhet pajisur dhe me mjetet mjekësore që kërkon kjo ndihmë.
I gjithë ky proces ndihme finalizohet nga vrojtuesi i plazhit që ka për detyrë të jetë prezent gjate gjithë kohës qe stacioni plazhit (publik ose jopublik) është i hapur. Vrojtuesi i plazhit punësohet nga subjekti qe ka ne përdorim stacionin e plazhit (VKM. 369, Neni 6, Pika 3ç).
Ky proces,në dukje i thjeshtë dhe i realizueshëm nuk ka qenë asnjëherë në vëmendjen e institucioneve përkatëse, që e kanë për detyrë, edhe pse kjo është një nga “detyrat e shtëpisë” të lëna nga rekomandimet e BE.
Të jesh pjesë e Europës nuk mjafton vetëm të promovosh turizmin, bregdetin apo plazhet e bukura të Shqipërisë. Të jesh pjesë e familjes europiane do të thotë që minimalisht të plotësosh kushtet e sigurisë njerëzore në këto atraksione turistike. Dhe për këtë, nuk ka nevojë të bëjmë çudira, por thjesht të përafrojmë legjislacionin tonë me atë të vendeve të BE. Por duke qenë të vetëdijshëm, se shumë herë mungesa e vullnetit për zbatimin e ligjit sjell ngecjen e reformave,edhe kjo çështje kërkon seriozitet në zbatim. Për këtë, zbatimi i ligjit për vendosjen e vrojtuesve në plazhe, duhet të konsiderohet apo imponohet me seriozitet institucioneve përkatëse dhe atyre që merren me turizmin.
Mbrojtja dhe siguria e jetës së pushuesve në plazhet shqiptare është një problematikë e mprehtë që kërkon angazhim serioz të të gjithë strukturave, gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm kur nis sezoni turistik. Ndaj për këtë, duhet që të gjithë të kontribuojnë duke mos humbur asnjë ditë. Përndryshe bilacet e frikshme të mbytjeve të kësaj vere do të ndikojnë gjithmonë e më negativisht në turizmin shqiptar dhe promovimin e vlerave të tij jashtë vendit, shkruan Syri.