Në ndërkohë do të ishte e udhës të vazhdohet zbatimi i marrëveshjes së ish Jugosllavisë në raport me Kosovës, (e ndërprerë nga 1 prilli i vitit 2010) duke i dhënë kështu fund një padrejtësie gati shtatëvjeçare për shtetasit e Kosovës si në krahasim shtetasit zviceranë ashtu edhe në krahasim me shtetasit e shteteve fqinje të Kosovës
Me rastin e dhënies së mandatit nga qeveria e Zvicrës si dhe miratimin e nga qeveria e Kosovës për fillimin e negociatave tanimë arritja e marrëveshjes ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës për Sigurimet Shoqërore si dhe hyrja e saj në fuqi duket të jetë çështje e kohës. Në ndërkohë do të ishte e udhës të vazhdohet zbatimi i marrëveshjes së ish Jugosllavisë në raport me Kosovës, (e ndërprerë nga 1 prilli i vitit 2010) duke i dhënë kështu fund një padrejtësie gati shtatëvjeçare për shtetasit e Kosovës si në krahasim shtetasit zviceranë ashtu edhe në krahasim me shtetasit e shteteve fqinje të Kosovës.
Për njerëzit e prekur tanimë nuk ekziston asnjë domosdoshmëri të kërkojnë kthimin e kontributeve, duke përjashtuar këtu arritjen e afatit të parashkrimit të kontributeve, pasi që në rastin e hyrjes në fuqi ata do të kenë mundësinë e përfitimit të pensioneve të invaliditetit, pleqërisë e vejërisë, pensione këto që do të mund të eksportohen në Kosovë.
Përmbajtja dhe qëllimi i marrëveshjeve ndërshtetërore të Sigurisë shoqërore
Marrëveshjet ndërshtetërore të sigurisë shoqërore kanë për qëllim koordinimin e skemave të sigurimeve të detyrueshme shoqërore të dy shteteve kontraktuese. Marrëveshjet vlejnë për shtetasit e dy shteteve por në vlefshmëri mund të përfshihen edhe shtetasit e vendeve treta në rast se ata punojnë për një ndërmarrje me seli në njërin nga këto shtete dhe dërgohen përmes ndërmarrjes nga në shtetin tjetrin gjatë një kohe të përcaktuar në marrëveshje për të ushtruar një aktivitet ekonomik.
Në këto marrëveshje përfshihen degët ekzistuese të sigurimeve të detyrueshme shoqërore të dy shteteve. Sigurimi i papunësisë (ALV) nuk është pjesë e këtyre marrëveshjeve ndërshtetërore, (përveç marrëveshjeve me shtetet fqinje të Zvicrës dhe marrëveshjen multilaterale të Zvicrës me shtetet e Bashkimit Evropian). As arka e pansionit – përkujdesja profesionale (BVG) nuk është pjesë e marrëveshjeve ndërshtetërore. Në marrëveshje mund të përcaktohet gjithashtu edhe mundësia mundësia e përfshirjes edhe të sigurimeve të reja nëse në të ardhmen miratohen dhe zbatohen nga njëri shtet. Palët mund të pajtohen edhe në rast se në të të ardhmen njëri nga shtetet revidon legjislacionin e një sigurimi shoqëror.
Qëllimi i marrëveshjes është trajtimi i barabartë i shtetase në raport detyrimet dhe të drejtat në raport me Sigurimet ku ata janë të siguruar. Sipas marrëveshjes në fjalë shtetasit janë të siguruar parimisht në vendin ku punojnë (kryejnë një aktivitet ekonomik) dhe i nënshtrohen legjislacionit të këtij vendi i cili në parim i ofron trajtim të barabartë me vendasit. Sigurimet shoqërore vlejnë edhe gjatë qëndrimit të përkohshëm në vendin e prejardhjes.
Marrëveshjet përmbajnë zakonisht mundësinë e eksportimit të përfitimeve në vendin e prejardhjes apo varësisht nga marrëveshja edhe në gjithë botën.
Duke u bazuar në ndryshimin e legjislacionit në Zvicër marrëveshjet ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe shteteve tjera, parashohin edhe bashkëpunimin në mes të dy shteteve me qëllimin të luftimit të keqpërdorimeve në sigurimet shoqërore.
Qëllimi i marrëveshjeve ndërshtetërore të sigurisë shoqërore është mbrojtja e shtetasve të dy shteteve nga rreziqet sociale, respektivisht në mbulimin e pasojave që rezultojnë nga ndodhja e rreziqeve sociali në rast të ushtrimit të një aktiviteti ekonomik apo zhvendosjes së vendbanimit në shtetin tjetër.
Marrëveshjet përcaktojnë edhe kohëzgjatjen e saj, mundësinë e prishjes si dhe organet përgjegjëse të dy vendeve për zbatimin e saj si dhe shtegu i zgjidhjes së vështirësive apo mospajtimeve gjatë zbatimit.
Marrëveshja ndërshtetërore në raport me Kosovën
Marrëveshja ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe ish Jugosllavisë në raport me Kosovën ka pushuar së zbatuari nga 1 prilli 2010. Nga kjo kohë shtetasit e Kosovës trajtohen si shtetas të shteteve me të cilat Zvicra nuk ka marrëveshje ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore e për pasojë kanë mundësi në përfitimet e pensionit të invaliditetit, pleqërisë e të vejërisë vetëm në rast të ruajtjes së vendbanimit të tyre në Zvicër. Në rast se ata vendosin të kthehen në Kosovë për të kaluar pjesën e mbetur të jetës u mbetet vetëm mundësia e kthimit të kontributeve në sigurimin e pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV).
Me pagimin e kontributeve personat e prekur heqin përfundimisht dorë nga çdo përfitim tjetër në rast se Kosova dhe Zvicra në të ardhmen arritin një marrëveshje ndërshtetërore.
Qëllimi kryesor i kontributeve në kolonën e parë është shndërrimi i tyre në pension të invaliditetit, të pleqërisë dhe të vejërisë e jo kthimi i tyre në formë kapitali pasi që kthehet vetëm shuma e paguar në sigurimin e pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV) nga punëdhënësi dhe punëmarrësi (8.4%) duke zbritur nga kjo shumë tatimin në burim“ sipas kantonit të Gjenevës dhe në anën tjetër me tërheqjen e këtyre mjeteve hiqet dorë përfundimisht nga përfitimet e mundshme në rast të hyrjes në fuqi të një marrëveshje të sigurisë shoqërore të arritur në mes të Zvicrës dhe Kosovës.
Etapa e normalizimit të raporteve
Duke u bazuar në vendimin qeveritar të Zvicrës në dhjetor të vitit 2009 përmes një komunikate për media më 29 janar 2010 njoftohet se marrëveshja ndërshtetërore e sigurimeve shoqërore me ish Jugosllavinë nga 1 prill 2010 në raport me Kosovën nuk do të zbatohet më.
Falë një sërë aktivitetesh e bisedimesh si dhe angazhimeve për plotësimin e parakushteve të domosdoshme për nisjen e negociatave për marrëveshje të re pas një periudhe gati shtatëvjeçare kthehet sërish mirëbesimi për krijimin e raporteve të reja dhe kështu në mbledhjen e saj më 16 nëntor 2016 qeveria e Zvicrës i jep mandatin departamentit të punëve të brendshme për nisjen e negociatave për një marrëveshje të Sigurisë Shoqërore me Kosovën. Në anën tjetër qeveria e Kosovën në mbledhjen e saj më 13 janar 2017 miraton fillimin e negociatave për marrëveshjen ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore me Zvicrën. Këto dy vendime fillon një etapë të re dhe paraqesin gurthemelin e normalizimit të raporteve ndërshtetërore në rrafshin e Sigurisë Shoqërore në mes të dy vendeve.
Kur do të paguhen pensionet?
Pyetja e parë që parashtrohet nga njerëzit e prekur të afërmit e tyre dhe të të interesuarve tjerë pas miratimit të dy qeverive për nisjen e negociatave për marrëveshje të re ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore është: „Kur do të paguhen pensionet?“. Zëdhënësi për media i Entit Federal për Sigurime Shoqërore të Zvicrës Harald Sohns në pyetjen nga Albinfo.ch shprehet se përmbyllja e procesit mund të marrë 2 deri 3 vite.
Nuk është e qartë se a flitet për kohëzgjatjen e negociatave apo kohëzgjatjen deri sa të hyjë në fuqi marrëveshja. Pensionet e invaliditetit, të pleqërisë dhe vejërisë mund të eksportohen vetëm kur të hyjë marrëveshja e arritur në fuqi e kohëzgjatja e këtij procesi varet nga kohëzgjatja e negociatave dhe kohëzgjatja e procesit të ratifikimit në parlamentet e dy shteteve. Kjo mund të jetë dy deri tri vite në rast të pajtueshmërisë së palëve por mund të jetë më e gjatë në rast të vështirësive që mund të zgjasin si gjatë negociatave ashtu edhe gjatë procesit të ratifikimit e që varet edhe nga vullneti politik i dy vendeve. Por pyetja tjetër është pa dyshim pse gjatë këtij procesi nuk vazhdon zbatimi i marrëveshjes me ish Jugosllavinë për t’i dhënë kështu fund një padrejtësie gati shtatë vjeçare dhe atë duke marrë parasysh edhe krijimin e infrastrukturës së nevojshme në Kosovë për zbatimin e marrëveshjes. Vazhdimi i zbatimit të marrëveshjes me ish Jugosllavinë në raport me Kosovën jo vetëm që i jep fund padrejtësisë për shtetasit e Kosovës por edhe lejon hapësirë të mjaftueshme kohore për negociatat me qëllim të arritjes së një marrëveshje të qëndrueshme ndërshtetërore si dhe hapësirë të mjaftueshme kohore për zbatim duke mënjanuar kështu vështirësitë në zbatim si dhe përforcimin e raporteve të zyrave ndërlidhëse që koordinojnë dhe realizojnë zbatimin e marrëveshjes.
Gjendja me shtetet fqinje të Kosovës
Negociatat për marrëveshje ndërshtetërore për një marrëveshje të re të Sigurisë Shoqërore me Bosnje e Hercegovinën janë në vazhdim e sipër, por në ndërkohë zbatohet marrëveshja me ish Jugosllavinë. Marrëveshja me Malin e Zi është arritur më 7 tetor 2010 e ajo me Serbinë më 11 tetor 2010. Marrëveshjet në fjalë hynë në fuqi pas miratimit në parlamentet e vendeve kontrakutale. Deri sa të përfundoj procesi i ratifikimit për shtetasit e Serbisë dhe Malit të Zi zbatohet marrëveshja me ish Jugosllavinë duke siguruar në ndërkohë trajtimin e barabartë të shtetasve të dy shteteve përkatëse. Edhe duke u bazuar nga realiteti i vendeve fqinje në rrafshin e Sigurimeve shoqërore kërkesa që Zvicra të vazhdoj e zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore me ish Jugosllavisë edhe në raport me Kosovën, gjatë kohëzgjatjes së procesit për marrëveshje të re, është e arsyeshme dhe e drejtë.
Kthimi i kontributeve apo pritja e marrëveshjes së re
Duke u bazuar në rrjedhën pozitive të ngjarjeve të sipërpërmendura mund të thuhet se hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërshtetërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës është çështje kohe. Shumë shtetas nga Kosova kishin ardhur në Zvicër për të punuar duke filluar nga vitet gjashtëdhjeta, falë marrëveshjen ndërshtetërore të sigurimeve shoqërore në mes të Zvicrës dhe ish Jugosllavisë si dhe marrëveshjeve tjera ndërshtetërore për punësim sezonal. Gjatë kësaj periudhe ata kanë dhënë padyshim përveç kontributit të jashtëzakonshëm si në zhvillimin ekonomik edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Zvicrës edhe të Kosovës edhe me pagimin e kontributeve një kontribut të pakontestueshëm në zhvillimin dhe përforcimin e Sigurisë Shoqërore në Zvicër.
Gjatë periudhës gati shtatë vjeçare, pas përfundimit të zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore të ish Jugosllavisë në raport me Kosovën, tanimë shumë shtetas nga Kosova, në mungesë të marrëveshjes, kanë tërhequr kontributet e derdhura në arkën e kompensimit të kolonës së parë, duke hequr dorë kështu nga çdo e drejtë për pension të invaliditetit pleqërisë apo të vejërisë. Këto veprimi ata i kanë ndërmarrë, si në mungesë të informimit të duhur ashtu edhe duke qenë të detyruar për arsye të arritjes së moshës së përshkrimit të kontributeve.
E drejta për kthimin e kontributeve parashkruhet më së voni pesë vite pas rastit të sigurimit, d.m.th. më së voni pesë vite pas mbushjes së moshës së rregullt të pensionimit të AHV-së (arritja e moshës 70 vjeçare) apo pesë vite pas vdekjes së personit, nga i cili rezultojnë përfitimet për trashëgimtarët.
Nëse shtetasit e Kosovës kanë punuar në Zvicër më gjatë se një vit atëherë është e rëndësishme që ata mos të kërkojnë kthimin e kontributeve pasi që në rast të arritjes së marrëveshjes do të kenë mundësi në eksportin e pensionit të invaliditetit të pleqërisë dhe vjetërsisë.
Qëllimi kryesor i kontributeve të punëtorëve dhe punëdhënësve është shndërrimi i tyre në pension në rast të ndodhjes së rrezikut social: invaliditetit, pleqërisë apo vejërisë prandaj, duke u bazuar në miratimet e dy vendeve për nisjen e negociatave për marrëveshje të re, nuk ekziston asnjë motiv apo arsyetim tjetër për të kërkuar kthimin e kontributeve, përveç arsyes së parashkrimit të kontributeve, që është pesë vite pas ndodhjes së rrezikut social, pleqërisë apo vejërisë.
Kontributet e mbetura në arkën e kompensimit nuk do të humben, ato do të shndërrohen në pensione dhe ato do të mund të eksportohen në Kosovë nga momenti i hyrjes në fuqi të marrëveshjes së re ndërshtetërore të Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës. (Albinfo.ch)