Sfidat e përditshme të Kosovës

Prishtinë | 10 Shk 2017 | 17:01 | Nga Valmir Gashi

Kosova la pas një vit të vështirë, shumë të vështirë, ku kriza politike vijoi pa reshtur, marrëdhëniet ndëretnike u përkeqësuan, marrëveshjet ndërkombëtare, ajo për Asociacionin dhe marrëveshja për Demarkacionin u bllokuan, ekonomia njohu rënie, ndërsa papunësia vetëm rritje.

Por, këto nuk mjaftuan, në katrahurën e vitit që iku, nuk mund të mos e përmendim edhe sundimin e ligjit, që u sfidua nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Arsimi njohu përkeqësim, madje të konfirmuar nga PISA, e shëndetësia përjetoi gjendje të dobët, të njëjtë që nga paslufta.

Nga kjo tërësi problemesh serioze viti 2017 duhet të privatizojë ato më emergjentet që kërkojnë zgjidhje tërësore ose të pjesshme. Për këtë, Kuvendi dhe Qeveria duhet të punojnë së bashku me qëllim që prioritetet e vitit 2017 të gëzojnë gjithë-përfshirje si dhe mbështetje sa më të gjërë politike. Cilat do të ishin prioritetet themelore?

Ruajtja e stabilitetit politik

Ruajtja e stabilitetit politik është prioritet themelor për Kosovën. Ky prioritet ka dimensionin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Së brendshmi nevojitet ndërtimi i dialogut politik pozitë-opozitë për gjitha sfidat kombëtare, nevojiten zgjidhje konsensuale, si dhe kërkohet gjithë-përfshirjes e tërë aktorëve politik për zgjidhjet politike. Gjithashtu, kërkohet kujdes i veçantë për marrëdhëniet ndëretnike, e përmirësimi i tyre nuk bëhet me iniciativa individuale të zyrtarëve të lartë të Kosovës, por nëpërmjet një strategjie afatgjate institucionale, politike dhe njerëzore.

Në dimensionin e jashtëm, stabiliteti politik lidhet me ndërtimin e një politike të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal dhe sidomos vijimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në politikën e jashtme më shumë se kudo tjetër nevojitet një bazë sa më e gjerë vendimmarrëse.

Kujdesi për ekonominë

Kosova ka nevojë për më shumë politikë ekonomike dhe për më pak debate bllofe politike rreth saj. Viti 2017 kërkon kujdes shumë më të madh për ekonominë. Qeveria duhet të ndërmarrë politika konkrete për rritjen ekonomike të vendit, për rritjen e investimeve të brendshme dhe investimeve të huaja direkte, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për shërimin e plagëve sociale siç janë varfëria, pensionet, invalidët dhe veteranët.

Sundimi i ligjit dhe mirëqeverisja

Kosova vijon të ketë probleme serioze me shtetin ligjor. Sistemi i drejtësisë në Kosovë vuan shumë nga ndërvarësia politike, mungon profesionalizmi dhe integriteti. Shumë dosje presin të gjykohen, dhe qytetarët e kanë humbur krejtësisht besimin tek drejtësia aktuale në Kosovë. Ky degradim i drejtësisë i ka hapur rrugë keq-qeverisjes dhe korrupsionit në të gjitha nivelet , po ashtu dhe krimit, madje edhe krimit të organizuar.

Shteti ligjor dhe mirëqeverisja duhet të jenë në krye të reformave për vitin 2017. Mund të merret shembull Shqipëria, në këtë rast me dy reformat e mëdha të vitit 2016; Ligji për dekriminalizimin në sektorët politik dhe publik si dhe Reforma Kushtetuese në sistemin e drejtësisë.

Përballja me problemet sociale

Kosova është vend e shoqëri post-traumatike, ku e kaluara dhe tranzicioni i zgjatur kanë lënë plagë sociale të mëdha. Varfëria, pagat e ulëta, pensionet, invalidët, veteranët, pleqtë e fëmijët dhe grupet tjera të shoqërisë janë në gjendje emergjente.

Politikat e Qeverisë duhet të adresojnë seriozisht këto probleme sociale, shumë të rënda, ndryshe vendi do vazhdojë të prodhojë emigracion të dhimbshëm drejt vendeve më me shpresë të Evropës. Janë pikërisht këtu; gjendja ekonomike, papunësia, varfëria dhe plagët sociale që pengojnë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e izoluar, e të fyer, të Kosovës.

Njohjet dhe integrimi i vendit

Në plan më të gjerë dy janë sfidat për Kosovën; zgjerimi i njohjeve ndërkombëtare si dhe përshpejtimi i procesit të integrimit euro-atlantik të vendit. Në aspektin e njohjeve duhet strategji më e qartë, ku kërkohet të mënjanohet spontaniteti dhe avashllëku, por duhet më shumë bashkëpunim dhe koordinim me Shqipërinë. Dështimi në UNESCO në vitin e kaluar është mësim për vitin që sapo ka filluar.

Integrimi euro-atlantik duhet të vijojë të mbetet prioritet për Kosovën edhe për vitin 2017. Së pari, vendi duhet të plotësojë kriteret e fundit të udhërrëfyesit të BE’së për liberalizimin e vizave, dhe më tutje të vijojë të implementohet plotësisht MSA-ja me BE’në, në mënyrë që të hidhen hapat e mëtejshëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Këtë vit Kosova duhet të zyrtarizojë krijimin e Forcave të Armatosura, për faktin se ky hap diktohet nga nevojat e sigurisë së brendshme, nga kriza e sigurisë në rajon, Evropë dhe më gjerë. Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do nxiste edhe përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme