Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar indikatorët kyç ekonomikë në periudhën 10-vjeçare të pavarësisë. Me këtë rast është thënë se investimet e huaja mbeten sfidë për ekonominë e Kosovës.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike tha se ky 10-vjetor e ka përcjellur ekonominë në Kosovë me shumë sfida.
“Është dekadë që ekonomia është përcjellur me sfida. Duke pasur parasysh se kemi pasur një konkurrent të madh siç është Serbia, aktivitetet ekonomike janë ngadalësuar. Duke mbështetur sektorin privat, duke modernizuar sistemin e arsimit, e shumë gjëra të tjera janë prioritet që na hapin rrugë. Duhet ta shndërrojmë Kosovën një shtet për të mos ikur, sepse sa na duhet neve Kosova ne i duhemi Kosovës në të ardhmen”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se blerja e prodhimeve vendore është patriotizëm modern që i duhet Kosovës.
“Shqetësimi më i madh në këtë strategji nuk është tema korrupsion po kapja e shtetit. Një term i tillë ndikon në dekurajimin e investitorëve të huaj. Duhet të pranohet që nëse në këtë 10-vjetor meriton dikush t’i përkulet është diaspora të cilët i kam quajtur ambasadorët tanë. Sfidat janë të shumta por po fillon një dekadë për ngritjen e prosperitetit dhe miqësisë me miqtë ndërkombëtarë”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se ata janë për bashkëpunimin me Shqipërinë por më flitet për unifikim se sa bëhet diçka konkrete në këtë drejtim.
Berat Rukiqi prezantues i hulumtimit “Një dekadë me prodhime të huaja: Koha për dekadën e prodhimeve vendore”, prezantoi të arriturat dhe shqetësimet ekonomike për 10 vitet e fundit.
“Kosova ka shënuar trend pozitiv sa i përket rritjes ekonomike. Jo-stabiliteti politik viteve të fundit ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike. Papunësia mbetet pjesa më kronike e ekonomisë në vitet e fundit. Rritja ekonomike është 30.2% dhe çdo moment rrezikon stabilitetin social të vendit. Pjesa më e madhe e të papunëve janë të rinjë që përbëjnë 60%. Shohim një trend pozitiv edhe tek ulja e varfërisë ku në vitet e ardhshme pritet që të mos ketë varfëri të skajshme. Nëse krahasojmë me importin, trendet e eksporteve janë 250 milion. Kjo mbetet ende shifër e vogël sa i përket mundësisë së uljes së disbalancit tregtar”.
Ai tha se problem kryesor mbeten investimet huaja.
“Investimet e huaja kanë shënuar trend negativ. Nëse ka diçka që duhet me u trajtu me shqetësim në këto 10 vite është investimet e huaja. Sfida më e madhe është sundimi i ligjit, bizneset të mos vrapojnë nëpër gjykata, kjo nuk është problem vetëm për ekonominë por edhe për politikën”, tha Rukiqi.
Mes tjeras u tha se, Oda Ekonomike e përshëndet marrëveshjen e arritur për demarkacionin me Malin e Zi.