Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë dalë para Gjykatës, nën dyshimin për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), raporton Ekonomia Online.
Fillimisht, aktakuzën e lexoi Prokurori i Prokurorisë Speciale, Bekim Kodraliu.
“PSRK duke u mbështet në dispozita të Kodit të Procedurës Penale, ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit pasi nga data e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë (që njihet si BIA), në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë eprorët e saj, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike të tilla si Spitali Ushtarak i UÇK-së”, tha prokurori.
Sipas prokurorit Kodraliu, Shabani të dhënat dhe informacionet në fjalë, ua kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R., përgjegjës si dhe kolonel B.J, ish-komandant i Policisë së Serbisë gjatës kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit policor-ushtarak në masakrën e (e redaktuar) përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
“… me këto veprime i akuzuari ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, duke e ndihmuar po ashtu BIA-n në krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK -së (e reaktuar) kinse janë bërë trafikime organesh, si dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës së (e redaktuar), duke kërkuar nga zyrtari i BIA-s dhe B.J që të ndërmarrin veprime operacionale të cilat do të shkaktonin një konflikt të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj për këto veprime, Bedri Shabani ngarkohet me veprën penale ‘Spiunazh’ nga neni 124, paragrafi 3 të Kodit Penal”, tha tutje ai, teksa përmendi edhe gjetjen e armëve në shtëpinë e tij gjatë bastisjes.
Avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, kërkoi kohë që klienti i tij ta lexojë aktakuzën me klientin e tij.
“Ka nevojë me marr aktakuzën me vete e me lexu dhe me u taku së bashku dhe më pastaj t’i jepet mundësia të deklarohet për fajësinë dhe pafajësinë”, u shpreh Berisha.
Për vonesat e dorëzimit të aktakuzës e përmendi edhe kryetari i trupit gjykues, teksa seanca e radhës u caktua më 17 mars në 09:00.
