Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka alarmuar për ikjen e kapitalit privat nga Kosova.
Sipas tij, derisa viteve të kaluara kemi folur vetëm për migrimin e madh të qytetarëve, për vitin që lamë pas, 2025, flasim edhe për ikjen e më shumë se 1 miliard eurove të kapitalit të kosovarëve, qoftë në rajon qoftë në shtetet e BE-së.
Derisa deri tash kemi pasur migracion të qytetarëve të papunë, sot sipas Shahinit kemi migracion të bizneseve tona, investimeve dhe kapitalit tonë.
“Në bazë të disa të dhënave tona si AKB, stoku i investimeve të kosovarëve në Shqipëri ka arritur rreth 700 milion euro, në Greqi rreth 200 milion euro, në Mal të Zi 70 milion euro, pastaj në shtetet e BE-së mund të llogariten deri në 500 milion euro. Këto investime nuk janë bërë vetëm nga bizneset tona, por edhe privatisht nga qytetarët tanë, të cilët kursimet e tyre i kanë bartur në investime jashtë vendit. Qytetarët dhe bizneset po dëshirojnë të investojnë diku ku e kanë të sigurt investimin, kthimin e investimeve dhe fitimin, si dhe cilësinë e jetesës. Pra po dëshirojnë të investojnë diku ku vlerësohen dhe jo të quhen oligarkë e të dëmtohen në forma të ndryshme”, ka thënë Shahini në T7.
Ndryshe, kreu i AKB-së ka folur edhe për mungesën e investimeve kapitale në vend nga qeveria, të cilat nuk kanë qenë në nivel të duhur në gjashtë vitet e fundit.
Ai ka thënë se edhe përkundër faktit se në shifra kemi pasur miliarda euro për investime, të njëjtat nuk janë realizuar dhe kjo ka sjellë stagnim ekonomik në vend.
“Nëse i analizojmë buxhetet nga viti 2020 deri në 2026, kemi pasur buxhet të planifikuar rreth 21.5 miliard euro. Prej tyre, për investime kapitale për këtë kohë kanë qenë rreth 3 miliard euro. Për fat të keq këto investime dhe ky buxhet kogja i madh nuk janë vërejtur në terren dhe po ashtu nuk kanë ndikuar në rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë”, ka shtuar Shahini.