Pas urimit me rastin e 28 Nëntorit, Dr. Shaip Muja, ish deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njohur për qasjet e tij ndaj temave të ndjeshme nacionale, ka propozuar shtyrjen e afatit për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës për 5 vjet.
Madje, Dr. Muja për çështjen e sigurisë ka edhe një propozim konkret se kush do të merrej me sigurinë e vendit tonë, duke theksuar se 22 shtete të pavarura, me ulëse në OKB, nuk kanë fare ushtri.
“Të nderuar shqiptarë kudo qofshi, urime Festa e Flamurit, e identitetit tonë kombëtar, 28 Nëntori! Sot, të nderuar shqiptarë e ndërkombëtarë, ishim dëshmitarë të takimeve të radhës së dy Qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që po trajtojnë tema bashkëpunimi ekonomik e arsimor. Për mua, nuk janë ndonjë e arritur, e quaj të vonuar. Këto tema që po trajtohen, aktualisht nga dy Qeveritë që nga viti 1999 s’kanë qenë pengesë as e UNMIK-ut as sot e BE-së apo ShBA-së, sepse janë tema të cilat normal edhe Serbinë se shqetësojnë shumë sepse lirisht këto tema nuk prodhojnë “rrezikshmëri” për Serbinë.
Tema e vetme që nxit reagim e shqetësim, dhe sot vlerësohet e “rrezikshme” dhe “tema djallëzore”, është transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Kjo temë, as në Kosovë as në Shqipëri, madje as nga faktori ndërkombëtar, nuk po trajtohet si nevojë për siguri rajonale e globale, por po sillemi rrotull duke pritur që Serbia do të lejojë votën e pakicës serbe në Parlament ta bëjnë pro FAK. Kjo nuk do të ndodh dhe siç shihet, as Serbia s’ka vullnet për këtë stabilitet por as BE-ja nuk është e qartë së bashku me NATO-n për shtyllën kryesore të sigurisë në Kosovë, FAK. Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk janë dëshirë jona për politika ekspansioniste e shoviniste, por thjeshtë, nevojë për shkak të rrethanave që po krijon Rusia në regjion dhe po implementon Serbia para syve dhe fytyrës së BE-së dhe NATO-s.
Duke parë dhe analizuar këtë situatë, propozoj që tri shtet që na rrethojnë neve: Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, së bashku në konferencat e komiteteve të sigurisë së NATO-s, BE-së dhe SHBA-së të propozojnë mbrojtjen ushtarake të Republikës së Kosovës nga çfarëdo agresori që i kanoset për një periudhë 5 vjeçare. Arsyeshmëria është që Republika e Kosovës, ende s’ka klimë të brendshme dhe të jashtme të favorshme për të bërë ushtrinë. Detyrimet e Kosovës do të jenë financiare për këto tri shtete që e marrin në mbrojtje sipas modelit që ka Islanda e cila mbrohet nga ushtria e ShBA-së, apo Lihtenshtajni që mbrohet nga Gjermania, e shumë shembuj të tjerë. Kjo fazë e tillë e implementimit, do të ishte mesazh për interesin tonë kombëtar dhe situatën ndërkombëtare.
Gjatë kësaj kohe, FSK do të jetë në shërbim logjistik dhe me detyrat aktuale që ka duke u vlerësuar dhe përgatitur që pas 5 viteve, të kalojë në Forcat e Armatosura të Kosovës. Besoj se kjo do të ishte zgjedhje për të gjithë faktorët në interes të sigurisë regjionale dhe globale. Sigurisht, pipi politik që i bie kush mbërrin në fushata zgjedhore për këtë çështje, do të pushonte për 5 vjet. Kështu edhe do të evitohej keqpërdorimi i “temës së madhe nacionale”, duke mos lejuar të stërkeqet nga politika ditore e cila tashmë ka vënë në lojë, himn, flamur e çka i bie në dorë. Urime Festa e Flamurit, e identitetit tonë kombëtar, 28 Nëntori! P.S. Plot 22 shtete të pavarura, me ulëse në OKB, nuk kanë ushtri”
(Autori ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës)