Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala në një intervistë për Ekonomia Online tha se të gjitha rrugët ligjore zhvillimore janë të bllokuara nga kryeministri Albin Kurti.
Kjo sipas tij, ngase kreu i Qeverisë ka paralajmëruar se nuk është zgjidhje tërheqja e Trustit prej 30%, duke mohuar të drejtën qytetarëve t’i tërheqin mjetet e veta.
Ai shtoi se do të koordinohen edhe me subjekte tjera dhe sigurisht që do të dalin me qëndrim konkret sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trustit.
“Çështja e mazhorancës praktikisht është se nuk ka ide se si duhet të gjendet para situatave ekonomike në vend. Ideja e kryeministrit kundër Trustit është mungesë e ideve zhvillimore. Pajtohemi nëse ai do të sillte Ligjin e pagave, dhe nëse do të fillonte investimet kapitale dhe nëse ai do të bënte zgjidhje adekuate për situatën ekonomike në kuptimin e një krize energjetike. Pra të gjitha rrugët ligjore zhvillimore janë të bllokuara, ndërsa sot u mohohet e drejta qytetarëve t’i tërheqin mjetet e veta. Në anën tjetër kryeministri shpërndan te qytetarët 100 milionë euro”.
“Janë mjete edhe këto të taksapaguesve tanë përkundrazi që po shkojnë pa ndonjë plan dhe strategji dhe efekt ekonomik. Ne do të koordinohemi edhe me subjekte tjera dhe sigurisht që do të dalim me qëndrim konkret. Por ne konsiderojmë që është kërkesë legjitime dhe kërkesë që iu krijon shumë mundësi qytetarëve që kanë depozita për të zgjidhur problemet e tyre. Paralajmërimet është se shpërndahen mjete”, tha Shala.
Tutje, deputeti Shala theksoi se në vend se ta dërgojë në Kuvend Ligjin e pagave kreu i Qeverisë po paralajmëron rritje të tatimit në të hyra, e kjo sipas tij, do ta rëndojë edhe më shumë jetën e qytetarëve, raporton EO.
“Në anën tjetër në vend se të vije Ligji i pagave praktikisht po paralajmëron zvogëlim të pagave sepse rritja e tatimeve nënkupton që xhepi i qytetarit i secilit që merr pagë të jetë më i vogël. Të hyrat në ekonominë familjare pra qytetarët për ditë e më shumë e kanë të vështirësuar jetën e tyre dhe plotësimin e kërkesave të ekonomisë familjare me këtë inflacion të papërballueshëm që kemi”.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së më 9 mars ka dorëzuar në Kuvend Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale, i cili do të mundësonte tërheqjen e këtyre mjeteve.