Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ka folur sot në konferencë për shtyp për lojtarët që po hezitojnë t’i thonë “po” Kosovës apo që po e refuzojnë atë edhe pse po japin premtime se do t’i bashkohen asaj.
Rasti i fundit është ai i Uran Bislimit, i cili i refuzoi “Dardanët” në dy prej tri ftesave që i mori, në shtator dhe tash në mars, ndërsa i ishte përgjigjur ftesës në muajin nëntor.
Me Federatën e Futbollit të Kosovës kishin “luajtur” edhe disa lojtarë të tjerë, të cilët i kishin ndërruar fjalët gjatë rrugës, përkundër premtimit se do të përfundonin në “Fadil Vokrri”.
Shala ndihet i zhgënjyer nga këta lojtarë, përfshirë këtu edhe Mërgim Berishën, i cili kishte pranuar të luajë për Kosovën, por që më pas e priti Kombëtaren gjermane, e cila e ftoi për ndeshjet e marsit.
Ai insiston se lojtarët në fjalë po e përdorin Kosovën për t’ju afruar më shumë Kombëtareve të shteteve ku janë lindur dhe rritur.
“Mërgim Berisha e kishte konfirmuar ardhjen në tetor të vitit 2019, kur na kishte thënë që do të vinte, por më pas preferoi të shkonte tek Gjermania U-21. Ne e patëm mirëkuptuar që të luante atje derisa të përfundonte ai cikël e më pas të na bashkohej. Ia kemi mundësuar krejt ato që mund t’i ofrohen një lojtari, madje edhe patent-shoferin në Kosovë. Por, nëse ëndrra e tij ka qenë që të luajë për Gjermaninë, tash po e realizon”, deklaroi fillimisht Shala në konferencë për shtyp, shkruan “Gazeta Express”.
“Në njëfarë forme, edhe Berisha, por edhe lojtarët tjerë, Kosovën po e përdorin për t’ju bërë presion vendeve ku janë rritur, e ku shpresojnë të luajnë për këto Kombëtare. Kështu duket se veproi edhe Uran Bislimi, i cili ia mbylli dyert Kosovës pasi shpreson të luajë për Zvicrën dhe na refuzoi këtë muaj pasi nuk dëshiron ta ‘djeg’ mundësinë për të luajtur për Helvetikët. Ne e kemi synim kualifikimin në Evropian dhe ata që duan të vendosin tash, mund të vijnë tash, pasi këtu e tutje nuk mund t’i presim që të vijnë tek ne kur t’ju dështojnë destinacionet e tyre tjera”, vazhdoi menaxheri i “Dardanëve”.
Kombëtarja e Kosovës është bërë një zgjedhje e zorit për futbollistët e lindur dhe rritur jashtë vendit, të cilët prioritet i kanë ato Kombëtare, por që i bashkohen Kosovës veç kur t’ju shuhen shpresat apo ëndrrat për të luajtur në Kombëtaret tjera.