Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, pas vizitës që i ka bërë fabrikës së përpunimit të mishit “Meka” në Dragash, ka vizituar edhe kompaninë “Hit Flores”, e cila merret me grumbullimin dhe përpunimin e bimëve malore, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit që pati me drejtorin e kësaj kompanie, Nuridin Bajrami, Shala tha se MTI-ja dhe qeveria e Kosovës do të vazhdojë të përkrah këtë kompani që 97 për qind të prodhimeve të tyre i eksporton jashtë vendit.
“Kam kënaqësinë që të vizitojë edhe kompaninë “Hit Flores” e cila merret me grumbullim, përpunim të bimëve malore dhe 97 për qind të këtyre grumbullimeve i eksporton edhe jashtë Kosovës. E gjithë kjo është bërë me ndihmën e MTI-së me qëllim që të mundësojmë eksport sa më të madh. MTI është duke organizuar edhe përkrahjen për pjesëmarrjen e kompanive në panaire jashtë vendit dhe kompania në fjalë pas përkrahjes sonë ka arritur të nënshkruaj kontrata të eksportit jashtë vendit. Kjo kompani ka afër 4 mijë punonjës në Dragash. E inkurajoj pronarit që të vazhdojë me një punë të tillë dhe i garantoj mbështetjen e MTI-së dhe qeverisë së Kosovës”, tha Shala.
Drejtori i kësaj kompanie, Nuridin Bajrami, ka falënderuar ministrin për përkrahje ngase sipas tij kjo ka mundësuar që këta të fundit të nënshkruajnë marrëveshje me kompanitë botërore.
“Faleminderit ministrit që ka gjetur kohë për vizitë tek ne dhe për përkrahjen që na ka bërë për pjesëmarrjen tonë në panaire ndërkombëtare që na mundëson që mallrat tona të eksportohen jashtë vendit si Gjermani, Francë, Zvicër e cila na ka mundësuar që të nënshkruajmë kontrata të reja me kompanitë botërore”, ka thënë Bajrami, raporton EO.