Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po pret vendimin e Qeverisë për rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës, të ndërtuar nga serbët e veriut.
Mos rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës i paraparë deri me 31 janar(dje), sipas ministrit të Mjedisit Ferat Shala është bërë për arsye të diskutimeve të shumta që murin ta rrënojnë vet ndërtuesit. Mirëpo, pavarësisht gatishmërisë së institucioneve të Kosovës, udhëheqësit lokal të Mitrovicës së Veriut nuk janë treguar të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë.
MMPH-ja tashmë ka kryer të gjitha veprimet juridike dhe ka nxjerr të gjitha aktet normative e inspektuese, të cilat kanë konstatuar se muri në veri është ilegal dhe si i tillë duhet të rrënohet.
Ministri Shala ka thënë se ata tashmë kanë kryer të gjitha veprimet juridike dhe operacionale sa i përket çështjes së murit, mbi të cilën bazë është rikonstatuar se muri është objekt ilegal, i panevojshëm, nuk plotëson asnjë kriter as standard as urbanistik, është mesazh i keq për qytetarët e Mitrovicës dhe si i tillë duhet të rrënohet.
“Këto janë fazat në të cilat i kemi trajtuar problematikën e murit edhe si objekt ilegal, edhe si objekt ndërtimor edhe si pjesë e planeve rregulluese të qytetit të Mitrovicës. Prandaj mbesim dhe rikonstatojmë se muri është ilegal dhe duhet të rrënohet”, ka thënë Shala.
Pas përfundimit të të gjitha përgatitjeve ligjore nga ana e Ministrisë, Shala tha se po presin një vendim tjetër nga Qeveria e Kosovës, meqë edhe pas shumë diskutimeve nuk kanë arritur të zgjidhin këtë çështje përmes dialogut.
Por, ai nuk ka dashur të përmend kohën se kur do të ndodh largimi i murit.
“Unë nuk dua të përmend data, por jam thellësisht i bindur që zbatueshmëria e ligjit, rezolutës e të drejtës juridike duhet të realizohet”, është shprehur ai.