Ministri në detyrë i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, në vazhdën e mbështetjes për bizneset e huaja dhe vendore, sot ka nënshkruar vendimin mbi dhënien e pëlqimit për themelimin e Zonës Ekonomike , respektivisht Parkut Industrial në Opterushë, Komuna e Rahovecit, duke u bazuar në faktin se kriteret e parapara me legjislacion në fuqi janë plotësuar.
Ministri Shala theksoi se janë parapa 34 hektar që do të vendosen bizneset e huaja dhe vendore, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke krijuar mundësi për bizneset në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, duke ndërtuar zona ekonomike. Kjo zonë do t’iu shërbejë bizneseve që të kenë hapësira sa më të mira për ta ushtruar veprimtarin dhe numri i të punësuarve parashihet të jetë rreth 600 persona”, tha Shala.
Ai theksoi se roli i ministrisë është krijimi i kushteve sa më të mira për bizneset, duke punuar shumë në fuqizimin e tyre që të jenë konkurruese.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do ta financojë infrastrukturën e kësaj zone me rreth 3 milionë euro duke i kushtuar rëndësi zhvillimit ekonomik të vendit.
Investimet nëpër komuna do të vazhdojnë me ndërtimin e zonave ekonomike dhe inkubatorëve, duke bërë që Kosova të jetë vend atraktiv për të bërit biznes.