Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, ka thënë se reagimet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) lidhur me dekretimin e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu kanë qenë të pritshme.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala ka thënë se BE-ja e lidh çështjen e integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë me integrimin evropian, ndërsa SHBA-ja me dialogun strategjik. Sipas tij, vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për pranimin e dorëheqjeve, ndonëse ato ishin tërhequr para miratimit, ishte një veprim i ngutshëm.
“Këto reagime definitivisht se janë të pritshme për faktin se çështjen e integrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë, BE-ja e lidh me aspektin e integrimeve evropiane, ndërkaq SHBA-ja e lidh me aspektin e dialogut strategjik. Dhe definitivisht këto reagime edhe kanë qenë të pritshme. Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’i aprovuar dorëheqjet, ndonëse ato u tërhoqën para aprovimit të tyre, definitivisht se paraqet një veprim të ngutshëm. Nuk mund të themi se është një veprim i kundërligjshëm, mirëpo që është definitivisht një vendim i ngutshëm dhe një vendim i cili të paktën nuk është koordinuar në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës se si do të vendoset në rastin konkret. Dhe për pasojë, do të thotë, ka ardhur edhe situata e dekretit në fjalë për lirimin nga detyra. Për këtë arsye po e ritheksoj se ky vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës për t’i aprovuar dorëheqjet, ndonëse i kishte lënë pezull për një kohë të gjatë dhe i aprovoi pasi të njëjtit i revokuan, definitivisht është një veprim i ngutshëm”, tha ai.
Ai ka theksuar se përfaqësimi i komuniteteve në institucionet e drejtësisë është i përcaktuar me Kushtetutë dhe se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë është i rëndësishëm për besueshmërinë dhe qasjen në drejtësi.
“Tash, ideja është se çështja e përfshirjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin kosovar të drejtësisë është ajo çfarë quajmë integrim në sistemin e drejtësisë. Dhe që aspekti i përfaqësimit në institucionet e sistemit të drejtësisë është aspekt kushtetues. Do të thotë, sipas Kushtetutës, duhet të ketë përfaqësim institucional në të gjitha institucionet, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që brenda sistemit të drejtësisë dhe në kuptim të qasjes në drejtësi, në kuptim të besueshmërisë në sistemin e drejtësisë, të jenë të përfaqësuara të gjitha komunitetet”, tha Shala për Ekonomia Online.
Shala ka paralajmëruar se ky zhvillim mund të ketë pasoja në raportet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në, duke thënë se ende nuk dihet nëse reagimet e tyre do të jenë të vetmet pasoja.
“Po e ritheksoj se, duke pasur parasysh faktin se BE-ja e lidh këtë aspekt me aspektin e integrimeve evropiane dhe SHBA-të me dialogun strategjik, definitivisht mund të ketë konsekuenca të tilla. Do të thotë, do të presim ndoshta se cilat janë pasojat, për të cilat ne ende nuk i dimë. Ne i pamë, do të thotë, këto dy reagime, mirëpo nuk e dimë nëse gjithçka do të përfundojë në nivel të këtyre dy reagimeve apo do të ketë edhe diçka tjetër. Për këtë arsye po e ritheksoj se mënyra se si është menaxhuar ky proces, do të thotë, një veprim i tillë i ngutshëm nga ana e Këshillit Prokurorial të Kosovës, definitivisht se nuk ka qenë një veprim i mirëmenduar, i mirëplanifikuar dhe i mirëbashkërenduar të paktën me Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, dekretimi i lirimit nga detyra ka bërë që prokurorët në fjalë ta humbin mandatin dhe rikthimi i tyre në sistemin e drejtësisë tashmë kërkon një proces të ri dhe më të gjatë.
“Tash në rastin konkret, të njëjtit, do të thotë, nuk janë të përfaqësuar në sistemin e drejtësisë. Në momentin e nxjerrjes së dekretit në fjalë, prokurorët në fjalë e kanë humbur mandatin e prokurorit dhe, për këtë arsye, do të thotë, aspekti i rikthimit të tyre në institucionet e sistemit të drejtësisë kërkon një proces tjetër. Do të thotë, është i komplikuar dhe bukur i gjatë vetë procesi i rekrutimit të prokurorëve dhe më pastaj të njëjtit duhet ta marrin mandatin fillestar, që është tre vjet, dhe më pas ta marrin mandatin e përhershëm. Pra, për t’u plotësuar pozitat vakante përmes një procesi të rregullt konkurrues, duhet një kohë e konsiderueshme që të njëjtit, do të thotë, të jenë të përfaqësuar në sistemin e drejtësisë”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për vendimin e KPK-së për pranimin e dorëheqjeve të shtatë prokurorëve serbë dhe dekretimin e tyre nga u.d. presidentja Haxhiu, duke thënë se ky veprim “duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e nevojshme dhe kërkesat e sundimit të ligjit në Kosovë”.
Edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka theksuar se Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës garantojnë përfaqësimin e serbëve në institucionet e vendit, duke kërkuar që ata të kenë mundësi të barabarta dhe të marrin pjesë plotësisht në jetën politike dhe qytetare të Kosovës.
Më 21 korrik, Haxhiu njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi i drejtësisë në vitin 2022.

