Shala: Ta shfrytëzojmë sektorin e teknologjisë për ta rritur punësimin

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 16:20 | Nga Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala ka vizituar Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune,  Agim Aliu.

Gjatë këtij takimi ministri Shala dhe kryetari Aliu kanë biseduar për rritjen e punësimit nëpërmjet fushës së teknologjisë informative duke shfrytëzuar kapacitetet njerëzore.

Ministri në detyrë Shala ka thënë se ministria të cilën e drejton do ta ketë fokus përkrahjen dhe fuqizimin e bizneseve që merren me teknologji, inovacion dhe ndërmarrësi.

“Si Ministri e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, synojmë që në nëpërmjet shfrytëzimit të kapaciteteve njerëzore të rrisim punësimin dhe zhvillimin ekonomik. Po ashtu do t’i përkrahim  për t’u zhvilluar  ndërmarrjet inovative duke angazhuar sa më shumë të rinj dhe gra në biznese fillestare”, tha Shala.

Ai ka thënë se duhet shfrytëzuar në formën dhe mënyrën e duhur kapacitetet dhe mundësitë të cilat ofrohen në fushën e teknologjisë, pasi Kosova mund të gjenerojë deri në 50 mijë vende pune vetëm në fushën e IT-së, brenda 10 viteve të ardhshme.

Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë,  Muzafer Shala tha se kjo është dekada e teknologjisë informative dhe eksportit të shërbimeve në gjithë botën, prandaj edhe Kosova me një popullatë të re duhet t’i shfrytëzojë këto mundësi që ofrohen sot.

Të ngjashme