Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Itali, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala ka vizituar Parlamentin Regjional të Sicilisë, ku është pritur në një takim njohës nga zëvendës presidenti i këtij parlamenti Antonio Venturino.
Në takim u bisedua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e legjislacionit të ujërave dhe mjedisit. Shala dhe Venturino, shkëmbyem dhurata modeste dhe u dakorduan për vazhdimin e kontakteve dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen. Ministri Shala, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të MMPH-së, Arben Çitaku, vizituan edhe ambientet kulturore të Parlamentit Sicilian i cili njihet për historinë e tij të veçantë.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ferat Shala, po qëndron në Itali në kuadër të pjesëmarrjen në konferencën ndërkombëtare për inovacione në teknologjinë e sektorit të ujërave dhe mjedisit, WATEC Italy 2017, që po mbahet në Palermo të Italisë.
Në ditën e dytë të konferencës dy temat kryesore kanë qenë uji dhe financat, trajtimi i ujërave të zeza, uji dhe bujqësia, uji dhe ndryshimet klimatike dhe siguria e ujit ku ndër të tjera është folur për fondet dhe projektet e Bashkimit Evropian për sektorin e ujërave, tarifat e ujit, të ardhurat nga uji, teknologjitë për trajtimin e ujërave të zeza, përdorimi i ujërave të trajtuara, programet për sigurinë e ujit, standardet e ujit, konservimi i ujërave dhe teknologjitë për monitorimin e sigurisë së infrastrukturës ujore.