Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka vizituar sot punimet që po bëhen në Ulpianë, si në fushën e gërmimeve, po ashtu në atë të restaurimit dhe konvertimit.
Kjo vizitë është bërë në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për të hapur Parkun Arkeologjik Ulpiana, si dhe në kuadër të synimeve për të hapur ekspozitën e përhershme Dardania Antike.
Ministri Kujtim Shala gjatë vizitës që i bëri këtij lokacioni, u shpreh se Ulpiana meriton të jetë parku i parë arkeologjik në Kosovë dhe në funksion të kësaj po bëhen përgatitje të shumta.
Po ashtu, Shala u shpreh se vizitat periodike në Ulpianë janë në funksion të njohjes për së afërmi me punimet që po bëhen këtu, me gjetjet e vazhdueshme të cilat janë shenja nga më të hershme të trashëgimisë sonë kulturore dhe të identitetit tonë.
Shala më tej shtoi se punimet tanimë janë në një fazë shumë të rëndësishme dhe shumë shpejt ky lokalitet do të ndërrojë statusin nga lokalitet arkeologjik do të kthehet në Park Arkeologjik.
Ministri Shala më tej e përgëzoi ekipin që po punon aty, për punën sistematike profesionale dhe me përkushtim.
Ndërsa udhëheqësi i punimeve në lokalitetin Ulpiana, Milot Berisha, u shpreh se projekti i vitit 2016 synon konservimin apo restaurimin e këtij lokaliteti dhe shtoi se sivjet fokusi kryesor është që ky lokalitet të shpallet Park Arkeologjik dhe po punohet që kjo të përfundojë sivjet.
Udhëheqësi i punimeve në lokalitetin Ulpiana, Milot Berisha, tha se projekti i vitit 2016 synon konservimin apo restaurimin e këtij lokaliteti.
Ai beson se ky projekt do të përfundojë në vjeshtë të këtij viti, duke theksuar se ky park arkeologjik do të ketë një mbikëqyrje të vazhdueshme e të përhershme në mirëmbajtje, ruajtje dhe gjithashtu edhe në siguri.
Ai tregoi se do të punohet edhe në promovimin e arkeo-turizmit që të kenë mundësi të shoqërohen vizitoret dhe të informohen më shumë rreth këtij parku.
Krahas kësaj, Milot Berisha bëri të ditur që po punohet edhe në përgatitjen e një materiali promovues për parkun Ulpiana, ku do të pasqyrohet gjithçka përbrenda një udhërrëfyesi që do të informojë vizitorët më shumë rreth fazës së evokimit të këtij lokaliteti arkeologjik.