Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tregojnë orientimin strategjik të Beogradit dhe përpjekjet për të krijuar narrativë për një ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
Ai kritikon edhe qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke thënë se po vepron me standarde të dyfishta.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shala tha se mesazhi që Vuçiq ua dha kadetëve të rinj të Akademisë Ushtarake të Serbisë është paralajmërues për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
“Promovimi i një gjenerate në Akademinë Ushtarake të Serbisë, Aleksandër Vuçiç e përçoi një mesazh tejet të rëndësishëm sa i përket aspektit të kërcënimeve rajonale që do t’i kanosen Ballkanit Perëndimor, sepse i atribuoi një qëndrim tejet specifik duke u thënë oficerëve të cilët u diplomuan që ‘ju do të duhet të përgatiteni për një çështje tejet të rëndësishme që do të na karakterizojë në dekadën e ardhshme. Ju do të duhet të jeni të vëmendshëm që duhet ta mbroni tokën, dhe betimi juaj shkon për ta mbrojtur tokën e Kosovës’, sepse është në kuadër të Kushtetutës së Serbisë, ’ndërsa specifikisht ligjet ndërkombëtare, që është Rezoluta e OKB-së 1244, nuk janë më valide”, tha ai.
Sipas Shalës, deklaratat e fundit të zyrtarëve serbë tregojnë se Beogradi po përpiqet të krijojë rrethana për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.
“Pra, kjo dëshmon faktin që Serbia e planifikon në mënyrë vendimtare si të ndërhyjë, sepse për ta legjitimiteti ndërkombëtar në Republikën e Kosovës, si garancë e paqes dhe sigurisë, më nuk ekziston. Prandaj, këto qëndrime, ky vullnet politik i Beogradit zyrtar, është shpërfaqur dhe me deklarimin edhe të ministres së qeverisë së tij, e cila tha ‘ne do të duhet të bëjmë një spastrim etnik qysh ka ndodhur në vitet e 90-ta’. Prandaj të gjitha këto po e tregojnë faktin e orientimit strategjik të Beogradit zyrtar. Prandaj, Aleksandër Vuçiç me klasën e tij politike është duke tentuar në çdo rrethanë eventuale që t’i krijohet momentumi politik, narrativës për ndërhyrjen ushtarake”, tha ai.
Eksperti i sigurisë kritikoi edhe qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke thënë se mungesa e reagimit ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë u jep atyre më shumë hapësirë veprimi.
“Bashkimi Evropian luan me dy standarde, të cilat de facto ia japin mundësinë e hapësirës, veprimeve dhe manovrimeve të presidentit Vuçiç. Sepse po tentojnë që përmes avokimit me të drejtë po them, përmes avokimit të politikës së tyre, duke mos i sanksionuar nga qëndrimet zyrtare që janë bazë të krerëve institucionalë të Serbisë, atëherë kjo më pastaj Bashkimi Evropian po tenton ta tërheqë nga pjesa e orbitës ruse, që në fakt është dëshmuar gjatë këtyre 20 viteve të fundit që asnjëherë, në asnjë rrethanë, Serbia nuk e ka përfaqësuar politikën apo frymën e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ai shtoi se kjo qasje, sipas tij, po ndikon negativisht në sigurinë rajonale.
“Sepse gjithmonë në raport me faktorin ndërkombëtar ka tentuar që ta mbajë një lloj balanci, por që në fakt në terren më pastaj u ka dhënë mundësia dhe vullneti për të reaguar dhe vepruar. Prandaj, qëndrimi i Bashkimit Evropian është qëndrim kontravers, është një qëndrim i cili në fakt i kontribuon dhe i atribuon mundësisë së zhvillimeve të cilat e cenojnë drejtpërdrejt sigurinë kolektive në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.
Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u tha oficerëve të rinj të Akademisë Ushtarake që të jenë të gatshëm për mbrojtjen e asaj që e quajti “tokë e shenjtë e Serbisë”, duke aluduar në Kosovën.
Ndërkaq, javë më parë, ministrja serbe Paunoviq deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën.
Po të mërkurën, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, reagoi ndaj deklaratës së një deputeti që Kosovës iu referua si shtet fqinj, duke theksuar se ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit të Serbisë.
“Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, këta nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Krahinë autonome, Krahinë Autonome e Kosovës. Këta nuk janë fqinjët tanë. Ky mund të jetë qëndrimi juaj dhe qartazi është qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë. Faleminderit”, tha ajo.
