Kompania më e madhe e prodhimit të çimentos në Kosovë, “Sharrcem” e cila operon në vendin tonë nga viti 2010, ka treguar se edhe pas 10 vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, vazhdon të përballet më problemet esenciale.
Sipas drejtorit të impiantit të çimentos, Thomas Glavas, pengesat parësore me të cilat përballet Sharrcem, është mungesa e furnizimit me lëndë të parë dhe lëndë djegëse në njërën anë, dhe problematika me furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike në anën tjetër. “Industria e çimentos është operacion i vështirë, që mes faktorësh të ndryshëm, varet edhe nga lëndët e para, lëndët djegëse dhe furnizimi me energji elektrike, të cilat duhet të jenë të disponueshme në baza afatgjata dhe në kushte të justifikuara financiarisht, në mënyrë që çdo prodhues të jetë konkurrues dhe i qëndrueshëm. Ne po ballafaqohemi me vështirësi në të tria këto fusha”, ka thënë Glavas.
Kujtojmë që kompania “Sharrcem” menaxhohet përmes sistemeve të certifikuara ndërkombëtare si ISO, IPPC dhe ASI. Sharrcem po ashtu shpalos të gjithë treguesit e qëndrueshmërisë përmes raporteve vjetore vullnetare, në mënyrë që të mundësojë një platformë transparente të komunikimit me të gjitha palët e interesit.
Gjiganti industrial “Sharrcem” është anëtar i grupit “TITAN CEMENT”, i cili është anëtar aktiv i Këshillit Botëror të Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm (WBCSD), i Iniciativës së Qëndrueshmërisë së Çimentos (CSI), i CSR Europe dhe i organizatave të tjera ndërkombëtare, si dhe është një nga nënshkruesit e parë të Kompaktit Global të OKB-së, i cili synon mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të punës, mbrojtjen e mjedisit dhe gjithashtu luftimin e ryshfetit dhe korrupsionit.