Kryesuesja e Bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri-Berisha, ka thënë se duhet të ulen shpenzimet e personelit me një mesatare prej 20 për qind.
“Janë dy zgjidhje, ose t’i ulim shpenzimet dhe t’i marrim një sërë masa dhe të dalim nga kriza ose ta dërgojmë Telekomin në falimentim, pra zgjidhje tjetër në këtë mes nuk ka. Ne jemi për mirëqenien e punëtorëve që këta 2,300 punëtorë ta vazhdojnë punën, mirëpo duhet dhe mirëkuptim dhe nga ata, pra duhet të ulën shpenzimet e personelit me një mesatare prej 20 për qind”, tha Shatri-Berisha.
Ajo kërkon që duhet të ketë mirëkuptim nga punëtorët, përndryshe Telekomi është në rrezik të falimentimit.
“Ne presim që punëtorët të na kuptojnë për gjendjen në të cilën jemi, është iluzion të thuhet që një kompani si Telekomi nuk mund të falimentoj, por Telekomi është në rrezik real të falimentimit”, tha ajo.
Shatri-Berisha thotë se do të bëhet një skemë e re e pagave.
“Nuk do të thotë kjo se secila e pagë e punëtorit do të reduktohet për 20 për qind, këtu do të bëhet një skemë e re e pagave dhe ne jemi në plan të ristrukturimit të kompanisë dhe pastaj do të shikojmë se cila është zgjidhja më e përshtatshme edhe për punëtorët edhe për kompaninë”, tregon Shatri-Berisha.
Gjithashtu, ajo ka folur dhe për nënshkrimi i kontratave nga Bordi dhe menaxhmenti i kaluar, qiratë e Telekomit dhe shtyrja e zbatimit të kodit telefonik, raporton Telegrafi.