Përfaqësuesi Dana Rohrabacher, fushatat dokishoteske të të cilit mbi politikat e jashtme e bënë atë person të padëshirueshëm (non grata) në Pakistan dhe Afganistan, e që u bë si rrallëherë një amerikan që mbronte Vladimir Putinin, ka humbur postin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve pas 30 vitesh.
Republikani 71-vjeçar, shpërthimet e të cilit përfshijnë edhe rrëmbimin e një arme për t’iu bashkuar muxhahedinëve antisovjetikë të Afganistanit, projektohet të ketë humbur, vetëm 4 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve të mesmandatit, në të cilat demokratët arritën të sigurojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
Harley Rouda, një sipërmarrës demokrat i pasurive të patundshme, udhëheq me 4 pikë përqindjeje përballë Rohrabacher, në një nga qarqet e kantonit Orange të Kalifornisë jugore, dikur një bastion i konservatorëve që ngjiti në pushtet republikanët Richard Nixon dhe Ronald Reagan, por që tashmë, diversiteti i madh etnik ka kontribuuar në kthesën drejt demokratëve.
Pasi punoi si hartues fjalimesh për Reaganin, Rohrabacher u zgjodh në Kongres në vitin 1988 me një platformë agresive antikomuniste. Megjithatë, pikëpamjet e tij të ashpra tradhtuan sjelljet tipike kaliforniane, teksa pëlqente të bënte sërf, të luante në kitarë dhe, përpara se çështja të bëhej e zakonshme, mbështeti ligjërimin e marijuanës duke thënë se vet kishte bërë gjithçka.
Vendosja e Rohrabacherit në qendër të vëmendjes bëri që shumë prej kolegëve të tij ta shihnin si nxitës të rrëmbyer, megjithatë ato që do të kishin pasoja diplomatike ishin pikërisht deklaratat e tij.
Në Pakistan, për shembull, u mbajtën protesta e demonstrata masive në rrugë, pasi Rohrabacher propozoi në vitin 2012 një rezolutë – që gjithsesi nuk ishte detyruese dhe kishte pak shanse të miratohej në Kongres, – që bënte thirrje për pavarësinë e Baluchistanit, qendra e një kryengritjeje separatiste. Rohrabacherit iu refuzua gjithashtu hyrja në Afganistan, pasi irritoi ish-presidentin Hamid Karzai për shkak se e quajti të korruptuar.
Rohrabacher, zyra e të cilit ishte dekoruar me relike të luftimeve të shkurtra përkrah guerrilëve afganë, u takua në vitin 2001 me ish-ministrin e Jashtëm taleban dhe më pas iu bashkua së majtës që kundërshtonte shtimin e trupave amerikane, duke e parë qeverinë e Karzait si të kompromentuar.
Më së fundi, Rohrabacher është mbiquajtur edhe si kongresmeni i preferuar i Putinit. Dikur luftëtar i Luftës së Ftohtë, ai argumentoi se Islami radikal dhe jo Rusia është bërë kërcënimi më i madh global, e se Putin ishte thjesht një aleat.
Pas zgjedhjes surprizë të Donald Trumpit në vitin 2016, u shtuan spekulimet se presidenti i ri – që kishte shprehur gjithashtu respekt për Putinin, – do ta emëronte Rohrabacherin si ambasador të Shteteve të Bashkuara.
Rohrabacher ka rrëfyer se është takuar me Putinin, kur ky ishte zv.kryebashkiak i Shën Pjetërburgut, gjatë një vizite në Uashington në vitet ’90, e me të ishte përfshirë në një debat të ndikuar nga konsumi i alkoolit mbi faktin se kush e kishte fituar Luftën e Ftohtë.