ShBA-ja dhe aleatët nisin sulmet ajrore ndaj Sirisë

Prishtinë | 14 Pri 2018 | 06:11 | Nga

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.

Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Në fjalimin drejtuar kombit, të premten vonë, Trump tha se “masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm”.

“Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”, tha Trump.

Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.

“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, tha Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”.

Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.

Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.

Ajo lëshoi një deklaratë nëpërmjet ambasadorit të saj në SHBA, Anatoly Antonov, duke thënë se “veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”.

Të ngjashme