ShBA-ja kërkon që liderëve iranianë t’iu mbyllen llogaritë në rrjetet sociale

Prishtinë | 24 Nën 2019 | 10:21 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që gjigantët e rrjeteve sociale, Facebook, Instagram dhe Twitter, t’i mbyllin përkohësisht llogaritë që lidhen me liderët e qeverisë iraniane derisa të kthehet shërbimi i internetit në këtë shtet.

“Ky është një regjim thellësisht hipokrit. E ndal shërbimin e internetit përderisa qeveria vazhdon t’i përdorë të gjitha llogaritë në rrjetet sociale”, tha Brian Hook, përfaqësues special i Shteteve të Bashkuara për Iranin.

“Për këtë arsye, ne bëjmë thirrje për kompanitë si Facebook, Instagram dhe Twitter që t’i mbyllin llogaritë e liderit suprem, ministrit të jashtëm dhe presidentit Rohani derisa ata t’ua kthejnë internetin qytetarëve të tyre”, shtoi ai.

Qeveria iraniane e ndali pothuajse tërësisht internetin gjatë protestave që nisën javën e kaluar për shkak të rritjes së çmimit të benzinës.

Zyrtarët iranianë kanë thënë se protestat që u përhapën në më shumë se 100 qytete tashmë kanë përfunduar, por konfirmimi i një pretendimi të tilli është i pamundur.

Tehrani i ka fajësuar armiqtë e jashtëm, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe Izraelin, për shpërthimin e protestave më të dhunshme në dekadën e fundit, shkruan “Free Europe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme