ShBA-ja, në përpjekje të identifikimit të rrugëve për futjen e ndihmave në Venezuelë

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 12:14 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo thotë se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë rrugët për të futur ndihmat humanitare në Venezuelë, pasi trupat besnike ndaj Presidentit Nicolas Maduro zmbrapsën kamionët me ndihma në kufijtë me Brazilin dhe Kolumbinë.

Kryediplomati amerikan, në një intervistë të dielën me CNN-in, nuk dha detaje konkrete se si Shtetet e Bashkuara mund ta zbatonin misionin përballë kundërshtimit me armë.

Megjithatë ai tha se Shtetet e Bashkuara do të konsideronin mundësinë e sanksioneve shtesë kundër qeverisë së Venezuelës, për të rritur presionin ndaj Maduros që të japë dorëheqjen, në favor të Presidentit kalimtar të vendit, Juan Guaido, që është njohur nga Shtetet e Bashkuara.

Zoti Pompeo e quajti Maduron një tiran, duke thënë se kishte besim që populli i Venezuelës do të sigurojë që ditët e tij në pushtet të jenë të numëruara.

Të hënën, nënpresidenti amerikan, Mike Pence do të takohet me Guaidonë dhe udhëheqës të tjerë rajonalë në kryeqytetin kolumbian Bogota, për të diskutuar strategjinë kundër Maduros dhe se si të hyjë ndihma në Venezuelë.

Pamje përplasjesh dhe dhune të ushtruar të shtunën nga ushtria venezueliane ndaj civilëve u shfaqën në internet nga një organizatë që vëzhgon aktet e dhunës në Venezuelë.

Të paktën katër civilë u vranë dje kur forcat venezueliane të sigurisë u përplasën me demonstruesit në kufirin me Brazilin, të cilët kërkonin lejimin e hyrjes në vend të ndihmave humanitare.

Udhëheqësi opozitar dhe president i përkohshëm Juan Guaido shkruajti në Twitter se “ngjarjet e sotshme më detyrojnë t’i kërkoj zyrtarisht komunitetit ndërkombëtar që t’i mbajmë të gjitha opsionet e hapura për të siguruar lirinë për vendin tonë”.

Sipas “Forumit Penal” (Foro Penal), një organizatë që raporton për rastet e dhunës në vend, katër viktimat u vranë me armë në Santa Elena de Uairen, nga anëtarë të milicive pro-qeveritare.

Zëdhënësi i kësaj organizate, Alfred Romero, gjithashtu publikoi një video në Twitter kush shfaqen dhjetëra persona të tjerë të plagosur gjatë akteve të dhunës.

Në një prej pikave kufitare, kamionët me ndihma morën zjarr dhe turma nxitoi të shpëtonte kutitë me ushqime dhe barna mjekësore.

Senatori amerikan Marco Rubio shkruajti se një ligjvënës venezuelian dhe ndihmësi i tij ishin helmuar. Sipas Senatorit Rubio, ndihmësi vdiq, ndërsa ligjvënësi gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë zyrtarët kolumbianë njoftuan se mbi 60 ushtarakë venezuelianë dezertuan dje, duke njohur Juan Guaidon si udhëheqësin e Venezuelës. Guaido lavdëroi veprimin e ushtarëve duke shkruajtur se “ata nuk janë dezertues. Ata vendosën ta kalojnë në anën e popullit dhe të kushtetutës”. Zoti Guaido vazhdon të sfidojë urdhërin për të mos kaluar kufirin e Venezuelës dhe mori pjesë madje në koncertin “Venezuela Live Aid”, të organizuar në Kolumbi nga miliarderi britanik Richard Branson. Guaido tha se kaloi kufirin i ndihmuar nga ushtarakë venezuelianë.

Ndërsa nuk është ende e qartë se sa prej ndihmave arritën të kalojnë kufirin Brazil – Venezuelë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se autokolona përmbante 200 tonë ushqime dhe ilaçe të dhuruara nga qeveria amerikane dhe ajo braziliane.

Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë dënoi me forcë dhunën e ushtrisë venezueliane ndaj civilëve. Gjithashtu, organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” i bëri thirrje Venezuelës të ndalë sulmet ndaj qytetarëve të vendit, duke i konsideruar ato një shkelje serioze të të drejtave të njeirut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme