ShBA-ja shënon rekord masiv të të vdekurve nga mbidoza e drogës

Prishtinë | 18 Nën 2021 | 09:09 | Nga Ekonomia Online

Më shumë se 100.000 amerikanë raportohet të kenë vdekur nga mbidoza e drogës për 12 muaj gjatë pandemisë. Kjo është shifra më e lartë vjetore e të vdekurve nga droga që është regjistruar ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat nga Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregojnë se vdekjet nga mbidoza e drogës janë rritur për 28.5 për qind nga prilli i vitit të kaluar deri në prillin e këtij viti, shkruan BBC.

Ekspertët besojnë se numri i personave me probleme me mbidozën është rritur për shkak të ndikimit psikologjik të pandemisë dhe pranisë më të madhe të drogave sintetike si fentanili.

Numri i rasteve me mbidozë u rrit në pothuajse të gjitha shtetet e Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të katër prej tyre.

Duke i përdorur të dhënat nga certifikatat e vdekjes, Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësojnë se 100.306 persona kanë vdekur nga mbidoza mes prillit të vitit 2020 e prillit të vitit 2021, në krahasim me 78.056 vdekje në periudhën paraprake njëvjeçare.

Katherine Keyes, eksperte e abuzimit me drogë dhe profesoreshë e asocuar e epidemiologjisë në Universitetin e Kolumbias, i tha BBC-së se përderisa vdekjet nga mbidoza e drogës janë rritur në mënyrë eksponenciale në vitet e fundit, pandemia “i ka hedhur benzinë zjarrit”.

Numri i vdekjeve nga përdorimi i drogës tashmë i ka kaluar shifrat e viktimave të armëve të zjarrit, aksidenteve me vetura e gripit.

Rritja më e madhe e numrit të vdekjeve nga mbidoza u shënua në shtetin e Vermontit – 70 për qind. Atje nga mbidoza vdiqën 209 persona për një vit. Në vendin e dytë është Virgjinia Perëndimore me rritje prej 62 për qind, ndërsa i treti është Kentucky me 55 për qind.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme