Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, mbrëmë ka ofruar fillimin e bisedimeve me Korenë Veriore “pa parakushte”, duke u tërhequr nga kërkesat e mëparshme që Pheniani së pari duhet ta pranojë tërheqjen nga armatimi atomik, para fillimit të çfarëdo bisedimeve.
Kjo kthesë diplomatike e zotit Tillerson u bë pas vizitës në Korenë Veriore, nga ana e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Jeffrey Feltman, që ishte e para në gjashtë vitet e fundit.
Zoti Feltman, që është zyrtar i lartë i OKB-së për çështje politike, tha mbrëmë se beson se vizita e tij në Phenian, javën e kaluar, e hapë mundësinë për negociata, megjithqë zyrtarët e Koresë Veriore nuk e kanë shprehur asnjë përkushtim.
Sekretari Tillerson, në qëndrimin e zbutur amerikan, tha se do të ishte “joreale” të pritet që Pheniani do të ulet në tryezën e negociatave dhe do të jetë i gatshëm për tërheqje nga armatimi, për të cilin ka investuar shumë.
“Vetëm të takohemi”, tha Tillerson gjatë fjalimit të tij në Këshillin Atlantik në Uashington, dhe ka shtuar se presidenti amerikan, Donal Trump, e ka mbështetur ndryshimin e pozicionit tij të lidhur me bisedimet me Korenë Veriore.