Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të enjten se do të ketë një përgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nëse Rusia dërgon forca ushtarake në Ukrainë.
Komentet e zotit Blinken në Berlin duket se përfaqësojnë një tjetër përpjekje për të qartësuar ndonjë konfuzion të mundshëm për pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate të NATO-s, pasi Presidenti Joe Biden u kritikua gjerësisht për frazën se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia do të merrte një përgjigje më të ulët.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të enjten se do të ketë një përgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate, nëse Rusia dërgon forca ushtarake në Ukrainë.
Komentet e zotit Blinken në Berlin duket se përfaqësojnë një tjetër përpjekje për të qartësuar ndonjë konfuzion të mundshëm për pozicionin e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate të NATO-s, pasi Presidenti Joe Biden u kritikua gjerësisht për frazën se “një ndërhyrje e vogël” nga Rusia do të merrte një përgjigje më të ulët.
“Nëse forcat ushtarake ruse kalojnë kufirin ukrainas dhe kryejnë akte të reja agresioni ndaj Ukrainës, ato do të marrin një përgjigje të shpejtë, të ashpër dhe të bashkuar nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë”, tha Sekretari Blinken gjatë një konference për shtyp me homologen e tij gjermane.
Në vazhdim, Sekretari Blinken e akuzoi Rusinë se po rrezikon themelet e rendit botëror me grumbullimin e rreth 100 mijë forcave ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Ai tha se Rusia duhet të përballet me një përgjigje të koordinuar dhe të ashpër globale në rast se pushton Ukrainën.
Paralajmërimi i ashpër u bë nga Berlini, qyteti dikur i ndarë që ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë mes Lindjes dhe Perëndimit. Sekretari Blinken përgatitet të takohet të premten në Gjenevë me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov, në kuadrin e përpjekjeve për të ulur tensionet që nuk duket se do të jenë të suksesshme.
“Çështjet me të cilat po përballemi janë të vështira, dhe zgjidhja e tyre nuk do të bëhet me shpejtësi”, tha Sekretari Blinken. “Sigurisht që nuk pres t’i zgjidhim nesër në Gjenevë”.
Sekretari Blinken tha se veprimet e Rusisë kundër Ukrainës janë një përpjekje për të përmbysur normat ndërkombëtare dhe janë vetëm shkelja më e fundit ndër disa të tilla që Moska ka ndërmarrë në kundërshtim me traktate, marrëveshje dhe angazhime të tjera të panumërta ndërkombëtare, në dëm të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve të tjera.
“Nëse i lejojmë Rusisë t’i shkelë këto parime pa u ndëshkuar, kjo do të na tërhiqte të gjithëve pas në kohëra shumë më të rrezikshme dhe të pasigurta, kur ky kontinent, dhe ky qytet, ishin të ndarë më dysh, të ndarë me tokë asnjëanëse në mes ku patrullonin ushtarë, me kërcënimin e një lufte frontale që luhatej mbi jetën e të gjithëve”, i tha Sekretari Blinken audiencës në Akademinë e Shkencave Berlin-Brandenburg. “Do t’i dërgonte gjithashtu mesazhin të tjerëve në mbarë botën se këto parime nuk janë të paprekshme”.
“Ne nuk do t’i trajtojmë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial si të negociueshme”, tha ai, duke shtuar se situata është “më e madhe se thjesht një konflikt midis dy vendeve, dhe më e madhe se një përplasje midis Rusisë dhe NATO-s. Është një krizë me pasoja globale. Dhe kërkon vëmendje dhe veprim global”.
Fjalimi u mbajt pasi Sekretari Blinken dhe kryediplomatët e Britanisë, Francës dhe Gjermanisë u takuan në Berlin për të projektuar një front të përbashkët përballë Rusisë, të shqetësuar se ajo mund të jetë duke planifikuar pushtimin e Ukrainës. Një ditë më parë, ai u takua në Kiev me presidentin ukrainas për të diskutuar rreth këtij rreziku.
Presidenti Biden tha të mërkurën se ai mendon se Moska do ta pushtojë Ukrainën dhe paralajmëroi Presidentin rus Vladimir Putin se nëse vepron kështu, vendi i tij do të paguajë “një çmim të lartë” në jetët e humbura, si dhe një përjashtim të mundshëm nga sistemi bankar global.
Por, Presidenti Biden shkaktoi gjithashtu ankth për vendet aleate kur tha se përgjigja ndaj një pushtimi rus “do të varet nga veprimet”. Ai foli për situatën “nëse do të kishte një ndërhyrje të vogël dhe atëherë do të përfundonim duke debatuar se çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë jo, etj.”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është ndër personat që shprehën shqetësimin. “Duam t’u kujtojmë fuqive të mëdha se nuk ka ndërhyrje të vogla dhe vende të vogla. Ashtu siç nuk ka viktima të pakëta dhe pak zi për humbjen e njerëzve të dashur”, shkruajti ai në Twitter.
Sekretari Blinken u përpoq të theksojë të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate janë të bashkuara përballë veprimeve të Moskës, duke vënë në dukje se diplomatët amerikanë kanë mbajtur mbi 100 takime me aleatët gjatë javëve të fundit “për t’u siguruar që po flasim dhe veprojmë së bashku me një zë kur bëhet fjalë për Rusinë”.
“Ky unitet na jep fuqi, një fuqi që mund të them se Rusia nuk e ka dhe nuk mundet ta arrijë”, tha ai. “Prandaj ne ndërtojmë aleanca dhe partneritete vullnetare. Kjo është edhe arsyeja pse Rusia përpiqet me papërgjegjshmëri të na përçajë”.
Rusia ka mohuar se po planifikon një pushtim dhe madje akuzoi të enjten Perëndimin se po planifikon provokacione në Ukrainë, duke përmendur dërgesat e armatimeve në këtë vend nëpërmjet avionëve të transportit ushtarak britanik gjatë ditëve të fundit.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova aludoi se kur Ukraina dhe Perëndimi flasin për një sulm të afërt rus synojnë të fshehin “organizimin e provokimeve të tyre në shkallë të gjerë, përfshirë ato të natyrës ushtarake”.
Rusia kërkon disa garanci sigurie, ndër to edhe ndalimin e përhershëm të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, anëtarësi të cilën Kievi e aspiron, si dhe heqjen e pjesës më të madhe të pranisë ushtarake amerikane dhe të vendeve aleate nga Evropa Lindore.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet partnere evropiane thonë se janë të gatshme të shqyrtojnë ndërmarrjen e gjesteve më pak dramatike, por se kërkesat ruse nuk mund të shtrohen për diskutim dhe se zoti Putin e di se ato janë të parealizueshme. Vetë kjo shërben si provë për motivimin e fshehur nga zoti Putin, tha Sekretari Blinken.
“Deri më tani, gjestet tona të bëra në mirëbesim janë refuzuar, pasi realisht kjo krizë nuk ka të bëjë në radhë të parë me armatime apo baza ushtarake”, tha ai. “Ka të bëjë me sovranitetin dhe vetëvendosjen e Ukrainës dhe vendeve të tjera në periudhën pas-sovjetike. Në thelb ka të bëjë me refuzimin e Rusisë të një Evrope të pas Luftës së Ftohtë, e cila është e plotë dhe e lirë”.
Mes shqetësimeve se zoti Putin nuk do të ndikohet nga kërcënimet për sanksione dhe se një pushtim nuk do të pritet me përgjigjen e fortë ndërkombëtare që Shtetet e Bashkuara besojnë se meriton, Sekretari Blinken i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë popullit rus që të kundërshtojë çdo ndërhyrje të mundshme.
“Ju e meritoni një jetë me siguri dhe dinjitet, si të gjithë popujt kudo, dhe askush – as Ukraina, as Shtetet e Bashkuara, as vendet e NATO-s – nuk po përpiqen ta vënë këtë gjë në rrezik. Por ajo çfarë kërcënon vërtet sigurinë tuaj, është një luftë e pakuptimtë me fqinjët tuaj në Ukrainë, me të gjitha kostot që e shoqërojnë – mbi të gjitha, për të rinjtë që do të rrezikojnë apo do të japin jetën e tyre për këtë”, tha Sekretari Blinken.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate të NATO-s përballen me një detyrë të vështirë me krizën në Ukrainë. Presidenti Biden tha se nuk synon të dërgojë njësi luftarake në rast të një pushtimi të mëtejshëm nga Rusia. Por, ai mund të vendosë për një sërë opsionesh ushtarake më pak dramatike, e megjithatë të rrezikshme, si mbështetjen e një rezistence pas pushtimit të Ukrainës.
Logjika për të mos u bërë pjesë drejtpërdrejt në një luftë Rusi-Ukrainë është e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndonjë detyrim që buron nga ndonjë traktat me Ukrainën, dhe një luftë me Rusinë do të ishte një risk i jashtëzakonshëm. Por, edhe nëse bëhet më pak se ç’duhet, mbart gjithashtu rreziqe. /VOA