Gjatë vizitës së tij në Korenë e Jugut, zv.presidenti amerikan Pence dëshmoi vendosmëri. SHBA do të sulmojnë Korenë e Veriut në qoftë se nuk ndërpret programin bërthamor.
Zv.presidenti amerikan Mike Pence ka paralajmëruar Korenë e Veriut nga sulmet e mundshme, në qoftë se ajo vazhdon me programin atomik. Pence tha pas një takimi me presidentin e Koresë së Jugut Hwang Kyo Ahn, se “do të ishte mirë sikur Koreja e Veriut të mos testojë vendomërinë e preisdentit Trump dhe SHBA-së”. “SHBA dhe aleatët do të përgjigjen fuqishëm dhe në mënyrë adekuate në rast të përdorimit të armëve konvencionale apo atomike”.
Pak para takimit, Pence ka vizituar fshatin Panmunjom në zonën mes Koresë së Jugut dhe të Veriut, ku dikur ka qenë baza ushtarake e OKB Camp Bonifas. Pence tha se SHBA do të dëshironte një zgjidhje me mjete paqësore, por “të gjitha opsionet janë në tavolinë”.
“Politika e durimit strategjik ka marrë fund”, tha Pence, i cili i premtoi mbështetje të fuqishme popullit të Koresë së Jugut. SHBA ka stacionuar në Korenë e Jugut 28.500 ushtarë.
Përkundër paralajmërimeve amerikane, Koreja e Veriut të dielën ka ndezur një raketë, e cila sipas të dhënave të Uashingtonit, ka shpërthyer menjëherë pas nisjes. Testi është bërë pas një parade të madhe ushtarake në Penjan, me rastin e 105 vjetorit të lindjes së themeluesit të shtetit, Kim Il Sung.
Kritikat ndërkombëtare
Qeveria e Koresë së Jugut e ka denuar këtë test. Prezantimi një ditë pas paradës i shumë raketave “paraqet kërcënim për mbarë botën”, thuhet në Seul. Qeveria gjermane e ka kritikuar këtë test me raketa. “Testet e këtilla paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin. Britania e Madhe ka shprehur “shqetësim”. Ministri i Jashtëm Boris Johnson ka kërkuar nga Koreja e Veriut që të përfundojë programin bërthamor.
Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe bëri të ditur se vendi i tij po përgatitet për një valë të mundshme të refugjatëve si pasojë e konfliktit të mundshëm.
Tendosjet vazhdojnë
Raketat koreanoveriore
Konflikti është ashpërsuar si pasojë e programit koreanoverior bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se SHBA në rast nevoje do të ndërhyjë edhe vet, nëse Kina nuk e shton presionin ndaj partnerit të saj në Penjan.
Javën e kaluar ai ka dërguar në këtë rajon edhe një bartëse të avionëve. Këshilltari për çështje të sigurisë Herbert Raymond McMaster tha se Uashingtoni po bashkëpunon me Pekinin, por situatat e këtillë nuk guxon të vazhdojë. SHBA. Japonia dhe Koreja e Jugut, por edhe Kina, kanë ardhur në një pikë kritike kur duhet të vendosin se çfarë të bëjnë.
McMaster tha se “SHBA do të ndërmarrë të gjitha masat politike – para se të arrihet momenti i opsionit ushtarak – për të gjetur një zgjidhje paqësore”.
Koreja e Veriut ka bërë deri tani pesë teste atomike – dy vitin e kaluar. Penjani po punon edhe në zhvillimin e raketave me rreze të gjata, të cilat mund të godasin edhe territorin e SHBA-së.