SHBA pritet të lejojë Kosovën në stërvitjet NATO-n, Statovci: Partneriteti i Kosovës me Amerikën nuk lëkundet

Prishtinë | 18 Kor 2023 | 12:33 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci, e ka quajtur lajm të mirë vendimin e Senatit amerikan që e fut Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të SHBA-së në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.

Ajo ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-të nuk lëkundet dhe se këto ushtrime ushtarake do të jenë në shërbim të fuqizimit të sigurisë në rajon.

“Shpresoj që ky vendim i SHBA-ve të mos ketë dëshpëruar thellë dyshuesit skeptikë pushtet-varur, por partneriteti i Kosovës me SHBA-të nuk lëkundet. SHBA-të dhe Kosova do të zhvillojnë ushtrime ushtarake të përbashkëta, në shërbim të fuqizimit të sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar ajo, teksa thotë se ShBA-ja qëndron afër Kosovës në të gjitha sferat.

“Vendimi i Senatit amerikan për ta ftuar edhe Kosovën në listën e vendeve me të cilat ushtria më e fuqishme në botë, ajo e SHBA-ve, bashkë me NATO-n, do të zhvillojnë ushtrime të përbashkëta ushtarake, është edhe një tjetër fakt se; SHBA-të i qëndrojnë afër Kosovës në të gjitha rrafshet. Përkushtimi i Kosovës për demokraci, paqe e stabilitet, është shkollë e marrë më së shumti nga SHBA-të. Vlerat tona të tolerancës, bashkëjetesës, lirisë dhe barazisë, ndahen me ato të SHBA-ve, duke krijuar kështu një partneritet të pa cenueshëm, besnik dhe vizionar”, ka shkruar tutje ajo.

Të ngjashme