Shefi i EULEX-it kujton zyrtarin lituanez të vrarë para një dekade në veri

Prishtinë | 19 Sht 2023 | 17:22 | Nga Ekonomia Online

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, e ka kujtuar doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Senavicius, që është vrarë para 10 vjetësh në veri të Kosovës.

Në llogarinë e tij në Twitter, Barbano ka thënë se një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur, raporton Klan Kosova.

“Një dekadë më vonë, ky krim mbetet i pazbardhur dhe autorët nuk janë mbajtur përgjegjës. Audrius dhe familja e tij meritojnë drejtësi. EULEX-i dhe BE-ja presin drejtësi. Kosova dhe rajoni kanë nevojë për drejtësi”, ka shkruar Barbano.

“Kjo ceremoni të na kujtojë edhe për pasojat e paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në rajon dhe për urgjencën për t’u ripërkushtuar ndaj kauzës së pajtimit dhe sundimit të ligjit si mënyra më e mirë për të nderuar sakrificën përfundimtare të kolegut tonë Audrius”, ka shtuar ai.

Të ngjashme