Sheholli për targat: Kurti e ka zhgënjyer ShBA-në, Lista Serbe po ndjell frikë te serbët në veri

Prishtinë | 31 Tet 2022 | 13:54 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka thënë për Ekonomia Online se kryeministri Albin Kurti nuk ka bërë mirë që nuk e ka dëgjuar Amerikën sa i përket vendimit për targat.

Sipas tij, me këtë vendim që ka marrë kryeministri Kurti e ka zhgënjyer ShBA-në.

Tutje, ai tha se nga bisedat që kanë pasur me qytetarë në veri të vendit, ata janë të shqetësuar duke pasur parasysh se nuk guxojnë t’i konvertojnë targat nga pushteti i Beogradit.

Sipas tij, është Lista Serbe ajo që po ndjell frikë në qytetarët serbë të veriut.

“Kryeministri Kurti nuk ka bërë mirë që nuk e ka dëgjuar aleatin ShBA që të shkojë në vijë me rekomandimin dhe qëllimet e amerikanëve. Se a do të ketë trazira mbetet të shihet, por ajo që ne si Institut dhe zyrat që i kemi në veri kemi hasur në biseda të ndryshme me qytetarë të asaj pjesë dhe shohim shqetësim të jashtëzakonshëm të tyre duke pasur parasysh se ata serb jo vetëm që nuk guxojnë t’i konvertojnë, por nuk guxojnë nga pushteti i Beogradit sepse janë peng të tyre. Si instrument është Lista Serbe që po ndjell frikë në qytetarët serb të veriut”.

“Masat e Qeverisë në tri javët e para lloj qortimi e pastaj gjobitje nuk është në përputhje me aleatin kryesor me amerikanët. Ky fakt nuk na shkon për nder mos t’i dëgjojmë aleatët tanë. Serbet nuk janë të gatshëm ta bëjnë këtë konvertim. Serbët mund të bojkotojnë institucionet e Kosovës dhe mund edhe të protestojnë”.

“Unë besoj që ShBA-ja është e zhgënjyer me këtë vendim dhe këto masa të zotëri Kurtit dhe nuk guxojmë t’i zhgënjejmë aleatët tanë. Shpresojmë të mos ketë trazira”.

Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.

Kurti ka thënë që pas datës 21 prill të vitit 2023 nuk mund të ketë targa të reja në Kosovë, përveç atyre RKS.

Të ngjashme