Gjashtë persona rezultojnë ende të zhdukur pas shembjes së një pallati katërkatësh në zonën e Mesinës, në Itali. Mes tyre janë katër anëtarë të së njëjtës familje, ndërsa deri më tani janë konfirmuar tre të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë.
Të lënduarit janë transportuar në spitalet e qytetit, ndërsa në Poliklinikën Universitare të Mesinës është aktivizuar plani i emergjencës për përballimin e situatës.
Komandanti i zjarrfikësve, Michele Burgio, tha se ende ka shpresa për të gjetur të mbijetuar.
“Jemi ende larg kufirit kritik prej 36 orësh, ndaj ekziston mundësia për të gjetur të mbijetuar”, u shpreh ai.
Ndërkohë, familjarët kanë bërë thirrje publike që të mos telefonohen personat e bllokuar, me qëllim që të ruhen bateritë e telefonave celularë, të cilat po përdoren nga ekipet e shpëtimit për të lokalizuar vendndodhjen e të zhdukurve.
Godina e shembur ishte ndërtuar në fund të viteve 1980. Në katet e poshtme ndodheshin ambiente tregtare, ndërsa në katet e sipërme apartamente banimi.
Shkaqet e shembjes mbeten ende të paqarta. Prokuroria e Mesinës ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, pak çaste para shembjes është ndjerë një lëkundje, çka ka bërë që autoritetet të përjashtojnë mundësinë e një shpërthimi. Hetuesit dyshojnë se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga një problem në strukturën mbajtëse të ndërtesës.