Shëndetësia, sfidë për shtetndërtim

Prishtinë | 24 Sht 2019 | 13:13 | Nga Liridon Bllaca

Shëndetësia, Sfidë për Shtetndërtim

Afrimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë sjell diskutime mes akterëve politikë për fusha të rëndësishme në vend.  Njëra ndër temat që është sjellur në tryezën e diskutimit është edhe shëndetësia. Ashtu si çdo fushë tjetër në Kosovë edhe sektori i shëndetësisë ballafaqohet me problemet dhe specifikat e saj.

Menaxhimi jo i mirë me sistemin shëndetësor, neglizhenca në performancë, mos-organizimi i mjaftueshëm i simpoziume shkencore, komunikimi jo i mirëfilltë mes profesionistëve shëndetësor dhe financimi i dobët janë vetëm disa nga të metat të cilat e bëjnë këtë sistem thuajse jo funksional.Në mungesë të një sistem të mirëfilltë shëndetësor kualiteti i shërbimeve  padyshim që do jetë nën nivelin e dëshiruar, prandaj për të arritur nivel të lartë të shërbimeve shëndetësore hapi i parë që duhet ndërmarr është implementimi i një sistemi të mirëfilltë shëndetësor. Një hulumtim i bërë nga James H. (2010) tregon se në vitin 2005 në botë kanë vdekur 2.2 milion njerëz në spitale si pasojë e gabimeve në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Kosova nuk është imune ndaj këtij hulumtimi, andaj dhënia e shërbimeve duke u bazuar në protokolle brenda klinikave duhet të jetë në fjalinë e parë të secilës parti në programet e tyre qeverisëse.

1

Qeverisja mirëfilltë, financimi qëndrueshëm, përmirësimi ofrimit të shërbimeve shëndetësore dhe krijimi i kuadrove njerëzorë janë katër fusha kryesore të cilat duhet të jenë në agjendën e secilës parti politike në Kosovë, ndonëse ka pasur përmirësime gjatë viteve, mendoj që duhet të bëhet intervenime shtesë që këto të funksionojnë më mirë me njëra tjetrën.

Për të pasur një sistem funksional diskursi i partive politike në Kosovë para së gjithash duhet të përcaktohet për  prioritet në shëndetësi, është shumë e rëndësishme t’i identifikojmë problemet para se të fillojmë t’i zgjidhim ato. Duke qenë se operojmë pa sigurime shëndetësore atëherë duhet tentuar të gjejmë një alternativë të përshtatshme për t’ia ofruar qytetarit -në rast të kërkimit- shërbimin me mjetet të cilat janë në dispozicion.

Kujdesi parësor shëndetësor në Kosovë është e vetmja gjë që na “lejon” të krenohemi në fushën e shëndetësisë; megjithatë të dhënat tregojnë që në Kosovë vetëm 70% e popullatës kanë qasje në kujdesin parësor shëndetësor, meqenëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka për qëllim që secili qytetar të ketë mundësi t’i qaset kujdesit parësor atëherë neve na nevojitet angazhim maksimal në këtë drejtim. Kujdesi parësor është “ndërtesa” e parë që qytetari ballafaqohet në rast të kërkimit të shërbimit dhe në qoftë se ofrimi i shërbimit bëhet në mënyrë adekuate atëherë automatikisht kujdesi dytësor dhe tretësor lirohet nga “barra” për trajtimin e pacientit. Pra, një ofrim-i shërbimit- i mirë në kujdesin primar shëndetësor do të ishte një fillim i mbarë për futjen në binar të sistemit të shëndetësisë. Aplikimi i Procedurave Standarde të Operimit (Standard Operating Procedures) në Institucionet Shëndetësore do të ishte një tjetër hap pozitiv që do të mund të ndodhte.

2

Financimi, gjithashtu, ka ndikim jashtëzakonisht të rëndësishëm nëperformancën e një sistemi shëndetësor.
Të ardhurat nga taksat janë burim kryesor i financimit për sistemet shëndetësore qofshin ato vendet e pasura apo të varfëra. Të gjitha paratë e mbledhura përmes ndonjë metode të financimit -përveç kontributeve që vijnë nga jashtë, Organizata Botërore e Shëndetësisë, Banka Botërore apo Qeveria e Luksenburgut – vijnë direkt ose indirekt nga qytetarët. Ajo çka ne duhet të vendosim është cilat burime të përdorim dhe në çfarë mase. Shumica e vendeve përdorin kombinim të metodave te financimit, e të njëjtën strategji duhet ta ndjekim edhe ne. Të ardhurat e përgjithshme, sigurimet shoqërore, sigurimet private, pagesa direkte nga pacientët janë vetëm disa nga metodat e financimit. Duke qenë se ne shumicën e te hyrave i sigurojmë nga të ardhurat e përgjithshme (GeneralRevenue) atëherë duhet pasur parasysh disa faktorë:

– Zhvillimi Socio-ekonomik

Duhet cekur gjithashtu se, Kosova nuk ka vuajtur nga mungesa e ligjeve dhe strategjive, por nga mos-aftësia e zbatimit dhe adaptimit të tyre në sistemin tonë shëndetësor. Pra diçka që mund të funksionoj në Britani nuk mund të gjej zbatim në Kosovë. Ligjet dhe strategjitë duhet të jenë në koordinimi të plotë me situatën socio-ekonomike në vend.

– Kapaciteti Fiskal

Çështja kryesore këtu qëndron te fakti se a mund të mbledhim mjete të mjaftueshme për të përmbushur shpenzimet në sektorin e shëndetësisë? Janë dy fusha që duhet parë me kujdes: e para është struktura ekonomike dhe e dyta aftësia administrative e qeverisë. Për më tepër, sasia e mjeteve që mund të mblidhet varet jo vetëm nga baza e taksave por edhe nga ajo sesa është e gatshëm që qeveria ta bëjë prioritet sektorin e shëndetësisë në raport me objektivat tjera që ka pasur deri më tash.

– Zbatueshmëria

Mbledhja e fondeve, krijimi i sistemeve të kontabilitetit dhe auditimit, organizimi i agjencive administrative janë vetëm disa nga fushat që duhet t’i kushtojmë vëmendje gjatë këtij procesi të ndërlikuar të zbatueshmërisë. Një aspekt tjetër me rëndësi është edhe aftësia administrative, në këtë fazë duhet analizuar konceptin e burimeve njerëzore. Është shumë e rëndësishme të gjejmë njerëz të vullnetshëm që dijnë të zbatojnë këto koncepte. Unë besoj që kemi profesionist të tillë.

Ndërkohë këto që u përmendën më lartë të kenë efektin e vet në praktikë, duhet të kemi një sistem të vlerave që është i bazuar në sundim te ligjit,ku vlerat çmohen dhe secili vlerësohet në bazë të meritokracisë. Vlerësimi dhe monitorimi i cilësisë në sektorin publik dhe në mënyrë  të veçantë në sektorin privat, duhet të përcillet nga një agjenci që është e pavarur nga strukturat politike dhe që do t’i raportonte drejtpërdrejtë parlamentit e që do të kishte kompetenca ekzekutive kur të ketë shkelje të protokolleve dhe standardeve të cilësisë.

3

Reformat në shëndetësi tashmë janë “trend” në gjithë botën,  rritja e shpenzimeve, plakja e popullsisë, kërkesa çdo ditë e më e madhe për shërbime shëndetësore janë disa faktorë që i “detyrojnë” qeveritë të bëjnë reforma në shëndetësi. Një reformë ideale në shëndetësi do të duhej t’i ndjekte disa hapa, duke filluar me njohjen e problemit pastaj identifikimin e tij, zhvillimin e politikave dhe marrjen e një vendimi. Duke qenë se Kosova fatmirësisht ka një popullatë të re dhe është relativisht e shëndetshme realizimi i këtyre “detyrave” me një përkrahje të lehtë qeveritare do të arrinte që për një kohë të shkurt të futet në binar sistemi shëndetësor. Shtetet baltike kanë bërë reformat e tyre në shëndetësi dhe janë shembull suksesi, ajo çka duhet të kemi parasysh është aplikimi i një reforme të tillë por duke pas parasysh faktorët ekonomik, social dhe politik në vend.

Reforma nuk mund të bëhet me mendësi të vjetër, ajo kërkon një qasje të re me njerëz  energjik të përgatitur profesionalisht me integritet të lartë etik e moral dhe me vullnet për punë. Për një reformë të mirëfilltë esenciale është informimi i drejtë.

Mendoj që ne mund të shohim se sa përparojmë vetëm nëse kemi informata të sakta, ne duhet të krijojmë një sistem adekuat të informimit shëndetësor i cili pasqyron gjendjen aktuale dhe progresin në vitet e ardhshme. Element tjetër që duhet theksuar është ngritja profesionale dhe edukimi i vazhdueshëm i profesionistëve te të gjitha niveleve.

Shpenzimet në shëndetësi duhet rritur në mënyrë konstante,këto shpenzimet nuk duhet konsideruar si kosto por si investim. Një njeri i shëndetshëm kërkon më pak mbështetje nga buxheti/nga sistemi shëndetësor. Pra, kjo “kosto” krijon një shoqëri më të shëndetshme dhe më produktive. Kjo “kosto” është pasuri që duhet mbështetur.

Të ngjashme