Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka publikuar Politikën Rekomanduese për Mbrojtjen e Shëndetit të Fëmijëve, përmes të cilës kërkon vendosjen e shëndetit të fëmijëve në qendër të prioriteteve dhe të veprimeve në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorive Komunale për Shëndetësi, raporton Ekonomia Online.
Muhamet Arifi nga Balkan Sunflowers, prezantoi të dhëna për gjendjen e shëndetit të fëmijëve dhe nënave nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.
Sipas tij, shqetësuese mbetet imunizimi i ulët, vizitat shëndetësore para, gjatë dhe pas shtatzënisë dhe shkalla e vdekshmërisë së foshnjave.
“Nataliteti është shumë i lartë sepse ka shumë arsye. Një nga arsyet kryesore është asistenca sociale”.
“Për shkak të ndihmës sociale 170 euro rritet shumë nataliteti tek grupet e margjinalizune”.
Vlorian Molliqaj nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë tha që sipas të gjitha studimeve pandemia Covid-19 ka rënduar shëndetin e nënave dhe fëmijëve dhe pasojat do të fillojnë të shfaqen, prandaj kjo politikë vjen në kohën e duhur.
Molliqaj u bëri thirrje grave shtatzëna që të vaksinohen me vaksinën kundër Covid-19, në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe foshnjave.
“I ftojmë grat shtatzëna dhe gji dhënëse t’i marrin vaksinat. Ka një propagandë mirëpo vaksinimi është i mirë për gra shtatzëna dhe gji dhënësve”.
KOMF kërkon vëmendje dhe ndërhyrje të menjëhershme në çështjet e adresuara në këtë politikë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe rekomandon fuqishëm Ministrinë e Shëndetësisë dhe Drejtoritë Komunale për Shëndetësi që të rrisin investimet në sektorin e shëndetësisë, me qëllim implementimin dhe zbatimin e reformave dhe politikave në këtë sektor, të cilat ndikojnë në sigurimin e shërbimeve cilësore për fëmijë.