Te kompleksi memorial në fshatin Krushë e Madhe të komunës së Rahovecit dhe te vendi i rënies në malet e Pashtrikut, sot u shënua 18-vjetori i rënies së dëshmorëve Muhamet Malsori, Skender Hameli, Sinan Hoti, Isak Hoti, Sedat Hoti dhe Ismet Hoti, të cilët u vranë me 4 dhjetor të vitit 1998.
Në tubimin përkujtimor, të organizuar nga banorët e fshatit, të pranishëm ishin dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi; Ramadan Hoti, nënkryetar i Komunës së Gjakovës; familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve.
Selami Hoti, kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, ka thënë se dëshmorët e dinin se liri pa gjak nuk ka, të frymëzuar nga filozofia e Ukshin Hotit. Këta dëshmor dhe shumë krushjanë të tjerë kishin qenë pjesë e Brigadës së Zonës Operative të Pashtrikut.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Vehapi, tha se sa e shtrenjtë dhe e nevojshme ishte liria për vendin tonë, tregon vepra e Muhametit dhe shokëve të tij, të cilët kishin lënë jetët e tyre, familjet, profesionet e studimet, për të luftuar për liri.