Shënohet Dita Botërore e Zemrës, gjithsej 153 intervenime këtë vit në Klinikën e Kardiokirurgjisë

Prishtinë | 28 Sht 2018 | 10:59 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShP) hapi me një konferencë për media shënimin e Ditës Botërore të Zemrës.

Tefik Bekteshi, përfaqësues nga QKUK dhe drejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë, tha se këtë vit në krahasim me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar numërohen 153 intervenime, ndërsa vitin e kaluar ishin 91 intervenime.

“Është kursyer xhepi i qytetarëve për 7 milionë e 763 mijë euro dhe të gjitha këto mund të orientohen në mirëqenien e qytetarëve dhe parandalimin e sëmundjeve se pa marrë parasysh se sa punojnë punëtorët shëndetësorë mund të bëhet parandalimi i sëmundjeve të zemrës dhe i përgëzoj Institutin e Shëndetit për fletushkat që japin informata të shumta se si qytetarët të ruajnë zemrën”, tha ai.

Bekteshi tha se Klinika e Kardiokirurgjisë është në dispozicion 24 orë dhe kjo ka ndihmuar që shumë raste të trajtohen më shpejt dhe janë lehtësuar qytetarët financiarisht, pasi që nuk ka pasur nevojë për pritje të gjata.

Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike, tha se Dita Botërore e Zemrës është më 29 shtator, por për shkak që është ditë vikendi hapja e kësaj dite po mbahet sot me ç’rast aktivitetet do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, raporton Ekonomia Online.

“29 shtatori është ditë që në shumë vende të botës kalohet duke mësuar për sëmundjet kardiovaskulare dhe motoja e ditës është ‘Një premtim për zemrën tënde, për të gjitha zemrat tona’”, tha Ramadani.

“Arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrje për aksion për të gjithë ata që me kontributin e tyre kontribuojnë në përmirësimin e sëmundjeve kardiovaskulare”, tha ai.

“Çdo vit 17.5 milionë njerëz vdesin para kohës nga sëmundjet kardiovaskulare, përfshirë sëmundjet e zemrës dhe goditjen në tru. Këto sëmundje janë vrasësi numër një në botë dhe deri në vitin 2030 kjo shifër pritet të rritet në 23 milionë”, tha ai.

Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, tha se Ministria e Shëndetësisë është vazhdimisht duke punuar për t’u mundësuar pacientëve trajtim me të lehtë dhe më të mirë.

“Dita Botërore e Zemrës është ditë e rëndësishme e shëndetësisë në kalendar, ku në çfarëdo forme pretendojmë dhe potencojmë nevojën e marrjes së masave të duhura në mënyrë që zemra të mbrohet”, tha Berisha.

“Ne sot duhet të transmetojmë nevojën e jetës të mirë që sëmundjet e zemrës të zvogëlohen, një jetë pa duhan, pa alkool, pa drogë dhe të ruhemi dhe të kemi ushqim të shëndetshëm që këto të ndikojnë që sëmundshmëria e zemrës të zvogëlohet”, tha ai.

Berisha tha se Ministria e Shëndetësisë ka qenë mjaft e përkushtuar dhe ka bërë shumë punë në diagnostikimin dhe shërimin e sëmundjeve të zemrës, raporton EO.

“Në Kosovë kanë filluar shumë shërbime që nuk kanë ekzistuar më herët në diagnostikimin e sëmundjeve të zemrës. Në këtë ditë ne mund të konkludojmë se shumë shërbime sot janë funksionale në Kosovë që kanë ndikuar në mirëqenien e qytetarëve dhe shërimit të tyre”, tha Berisha.

Ai tha se ky lehtësim që u është bërë qytetarëve me përmirësimin e gjendjes së shëndetësisë në Kosovë ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e qytetarëve tanë.

“Ne kemi shënuar 1 mijë raste të stentave dhe kemi pasur 150 intervenime kirurgjike në zemër dhe këto shërbime janë falë angazhimit maksimal të punëtorëve shëndetësorë që janë në maksimum të angazhuar në shërimin e sëmundjeve të zemrës”, shtoi ai.

Florie Hyseni-Morina, Përfaqësuese e Kujdesit Parësor Mjekësor, tregoi se si mund të mbrohemi nga sëmundjet e zemrës.

Ajo tha se kujdesi parësor mjekësor paraqet kontaktin e parë me pacientët dhe është një institucion mjaft i rëndësishëm ku krijon përshtypjet e para me pacientë.

Të ngjashme