Shënohet Dita e Ashkalinjve, ministria e Mbrojtjes organizon pritje zyrtare për ushtarët e këtij komuniteti

Prishtinë | 15 Shk 2024 | 12:49 | Nga Ekonomia Online

Në Ministrinë e Mbrojtjes sot është shënuar Dita e Ashkalinjve dhe 21 vjetori i Ditës së Flamurit kombëtar të tyre.

Minsitri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka organizuar pritje zyrtare për ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komuniteti ashkali.

Gjithashtu, në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësminsitri i Mbrojtjes, Adnan Rexhepllar, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Resul Makreshi, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneralbrigade Ralf Hammerstein, dhe kryetari i Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Hetem Arifi.

Maqedonci, në fjalën e tij theksoi se komuniteti ashkali ka dëshmuar me kontributin e tyre në ndërtimin e Kosovës dhe se ky komunitet, i cili tradicionalisht ka shërbyer në Ushtrinë e Kosovës, ka përcjellë shembullin më të mirë të integrimit.

“Këtë vit radhëve të FSK-së i janë shtuar edhe katër pjesëtarë të rinj nga komuniteti juaj. Nga të gjitha komunitetet, ashkalinjtë kishin numrin më të madh të aplikuesve, kjo tregon edhe për atdhedashurinë që ka ky komunitet ndaj Kosovës dhe dëshirën për të shërbyer në uniformën e ushtrisë së Kosovës”, tha Maqedonci.

Ndërsa, Cikaqi pjesëtarve të pranishëm të komunitetit ashkali i uroi festën e tyre kombëtare duke pohuar se ky komunitet ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shtetndërtimin e Kosovës dhe FSK-së në veçanti.

Po ashtu, Hammerstein, i uroi festën kombëtare të gjithë pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti ashkali, me ç’rast theksoi se NATO ofron përkrahjen në rritjen e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë në organizatat e sigurisë në vend, në veçanti në FSK.

Në vazhdim të kësaj ceremonie, këshilltari i ministrit të Mbrojtjes, Asllan Kryeziu, shprehu falënderim për këtë organizim duke theksuar se pjesëtarët e këtij komuniteti, shërbejnë me nderë dhe krenari në Ushtrinë e vendit tonë, për të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve.

Të ngjashme